1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontesti greko-maqedonas 1991-2013

Silvera Padoro-Klenke / Fatos Musliu 24 Qershor 2013

Njohja e emrit kushtetues të Maqedonisë, respektimi i vendimit nga Haga dhe zhbllokimi i procesit të integrimit euroatlantik, sipas ish-ambasadorit gjerman Klaus Schrameyer, janë zgjidhjet për kontestin me emrin.

https://p.dw.com/p/18v7o
Dr. Klaus SchrameyerFotografi: DW/S. Padori-Klenke

“Diskutimet rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë që po zgjatin më shumë se njëzet vjet janë kthyer në një problem mjaft serioz, ndërkohë që në praktikë kjo çështje është sa e panevojshme aq edhe absurde! Sa më tepër që merrem me Ballkanin, aq më tepër jam i bindur se ky është problem iracional dhe psiko-patalogjik i Greqisë, i cili vështirë se mund t'u spjegohet shteteve perendimore. Nëse diskutojmë për emrin e Maqedonisë, me këtë rast do të mundja ta quaja Greqinë ish-provinca osmane Hellas“, thekson Klaus Schrameyer, ish-ambasadori gjerman në Shkup, në ligjëratën e tij me temë “Kontesti greko-maqedonas 1991-2013”.

Temën kaq të nxehtë, e cila mbetet aktuale në krye të agjendës që prej mëse njëzet viteve, Schrameier e prezantoi para një publiku shkencor në Universitetin e Lajpcigut. Betejën e Maqedonisë për emrin e shtetit, ai në mënyrë figurative e cilësoi si “Davidi kundër gjithë botës”. Që Maqedonia ka mbetur e vetme në betejën për emrin, sipas Schrameier e tregojnë zhvillimet dhe qëndrimi i Maqedonisë, Greqisë dhe Bashkimit Evropian gjatë viteve të kaluara.

Punë jo e frytshme

“Shkupi i plotësoi të gjitha kërkesat e Greqisë nga viti 1992, ndërsa nuk fitoi asgjë përveç se emrit ilegal FYROM. Kjo do të thotë se ishte një punë jo e frytshme: Kaloi përmes embargos, e ndryshoi Kushtetutën, e ndryshoi edhe nenin 49 me çka siguronte se nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të fqinjëve, e ndryshoi edhe flamurin. Argument i Greqisë ishte se Maqedonia ka afinitete militare agresive, edhe pse në vitin 1992 Badenteri tha se emri nuk paraqet ndonjë agresivitet”, shpjegoi Schrameyer duke rikujtuar, siç e quajti ai “ tentimin perfid të Greqisë që në vitin 1991 të organizojë konferencë për fatin e Maqedonisë pa pjesmarjen e saj , por me Bullgarinë dhe Serbinë, konferencë kjo që për fat të mirë dështoi.”

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Schrameyer rikujtoi se pas viti 1995 kur Maqedonia u kërcënua dhe u detyrua që ta pranojë referencën FYROM, vendi dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë përjetuar ofendime nga Athina. Në vitin 1999 Maqedonia ndihmoi në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë- pranoi 220.000 ushtarë dhe mbi 300.000 refugjatë. Por kjo ndihmë nuk evaluoi me anëtarsim në BE, apo me ndonjë kompensim konkret financiar. Përkundër kësaj, Greqia në vitin 2008 nuk respektoi marrëveshjen e përkohshme, gjë të cilën e ka vërtetuarr Gjykata në Hagë, dhe Athina vazhdon me bllokimin e anëtarsimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. “Është skandaloze që një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare nuk respektohet dhe se askush nuk proteston pse ai vendim nuk zbatohet”, komenton Schrameyer.

Interesat e mafias?

Në analizën për sjelljen e Greqisë gjatë njëzet viteve të kaluara u theksua se 130 shtete e kanë njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, që do të thotë se me bllokadat Greqia i bënë dëm vetes dhe dëmton rolin udhëheqës që do të mund të kishte në Ballkan me çka do të kontribonte për forcimin dhe stabilitetin e rajonit.

“A ka forca në Shkup dhe Athinë që dëshirojnë të pengojnë anëtarsimin e vendit në BE? A qëndron mafia pas bllokadave? “, është kjo teza e re që shtron ish-ambasadori Schrameier në sfondin e moszgjidhjes së çështjes së emrit, duke vlerësuar se me anëtarsimin e Bullgarisë në BE , kontrolli i kësaj hapësire nga ana e mafias është kufizuar. “Mafiozët nga Ballkani patjetër duhet të gjejnë hapësirën e tyre”, vlerson Schrameyer, i cili arsyet e kokëfortësisë së palës greke nuk i sheh vetëm në rrënjët e politikës së brendëshme, të cilat i ka apostrofuar historiani Adamantios Skordos ( temë e fushatës parazgjedhore, sllavofobija dhe miti për Lekën), por edhe në ndërgjegjen e papastërt, e cila gjeneron agresivitet, për shak të sjelljes së keqe ndaj njerëzve nga pjesa veriore e vendit.

Mos interesimi i politikës së nivelit të lartë

“Nuk e kuptoj përse BE-ja, partnerët evropianë, SHBA-ja e lejuan gjithë këtë – vendosën të jenë kundër një vendi sovran, i cili ka të drejtë ta zgjedhë vet emrin. Ky është fenomen i kohës tonë! Ka mosinteresim që rezulton me disponim antimaqedonas” , komenton Schrameyer. “Ka një shtangie të madhe iracionale te pala greke. E keqe është se nuk ka fjalë dhe porosi të vërteta dhe të qarta”, tërheq vëmendjen Schrameyer duke u përgjigjur në pyetjen e publikut, se përse nuk është ushtruar deri më tani trysni ndaj Greqisë dhe pse Gjermania është kaq tolerante?

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW

Në fund të debatit, në të cilin u bë fjalë për të gjitha fazat dhe propozimet për çështjen e emrit, Klaus Schrameier dha edhe propozimet e veta për zgjidhjen e çështjes së emrit: “Patjetër duhet të pranohet emri kushtetues i Republikës së Maqedonisë. Porosia juridike është e qartë: Athina ta respektojë vendimin e Hagës dhe të mos bllokojë anëtarsimin në BE dhe NATO”. Sipas Schrameier, është mëse e sigurtë që një ditë të gjithë pjesmarësit do të habiten se për çfarë banaliteti janë zënë. Por, për fat të keq, njerëzit e thjeshtë më shumë se sa politikanët po vuajnë nga kontesti i emrit. ” Nga zgjidhja varet zhvillimi jo vetëm i Maqedonisë por edhe i tërë rajonit”, theksoi Schrameyer në debatin e organizuar në Universitetin e Lajpcigut në temë “ Kontesti greko-maqedonas rreth çështjes së emrit 1991-2013 .