1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Arrihet marrëveshja për krijimin e qeverisë

Bekim Shehu / Prishtinë8 Janar 2008

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, zyrtarizuan përfundimisht marrëveshjen e koalicionit për formimin e qeverisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/ClpL
Fotografi: AP

Edhe pse deri dje PDK-ja dhe LDK-ja, ishin dy rivalet kryesore në politikën kosovare, ato më në fund u pajtuan që të bashkëqeverisin Kosovën edhe për katër vitet e ardhshme. Dy liderët e dy forcave kryesore politike në Kosovë, nënshkrues të marrëveshjes për krijimin e qeverisë Hashim Thaçi, dhe Fatmir Sejdiu, garantojnë se Kosova do të ketë institucione funksionale. Hashim Thaçi, të mërkurën zgjidhet kryeministër.

Nga ana e tij kryetari i LDK-së, njëherësh edhe president i vendit Fatmir Sejdiu, do të rizgjidhet po ashtu të mërkurën President i Kosovës, sepse këtë e garanton marrëveshja e koalicionit. Presidenti Sejdiu, thotë se marrëveshja me PDK-së e ka burimin në bashkëpunimin e ngushtë që ai ka pasur me Hashim Thaçin në Grupit e Unitetit, ku kanë negociuar bashkë çështjen e statusit të Kosovës.

Të mërkurën pra, në një seancë të kuvendit do të votohet në paketë kryesia e kuvendit dhe kryetari, qeveria dhe Presidenti i Kosovës. PDK-ja do të udhëheqë në qeverinë e re me shtatë ministri, LDK-ja me pesë ministri, ndërsa tri ministri të tjera do tu ndahen partive politike të pakicave kombëtare. PDK-ja, do të udhëheqë me ministrinë e financave, ministrinë e energjetikës, ministrinë e rendit, ministrinë e transportit dhe telekomunikacionit, ministrinë e bujqësisë, atë të arsimit dhe ministrinë e pushtetit lokal. Ndërsa LDK-ja, do të udhëheqë me ministrinë e shërbimeve publike, atë të kulturës, ministrinë e shëndetësisë, ministrinë e tregtisë dhe industrisë dhe me ministrinë e drejtësisë. Ministria e kthimit dhe ministria e punës dhe mirëqënies sociale do të udhëhiqen nga serbët e Kosovës, ndërsa ministria e ambientit dhe planifikimit hapsinor do të udhëhiqet nga pakicat jo serbe. Asnjë nga emrat e ministrave të rinj nuk janë bërë ende të njohur, mirëpo kjo do të mësohet gjatë ditës së sotme.