1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Arrihet marrëveshje e re koalicioni PAN-AKR

Bekim Shehu
4 Shtator 2017

Koalicionit PAN iu bashkua edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) e biznesmenit Behxhet Pacolli. Kjo pritet të shënojë edhe zhbllokimin e ngërçit politik, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë.

https://p.dw.com/p/2jLU9
Bedzet Pacoli
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Lideri i Aleancës Kosova e Re, (AKR), Behxhet Pacolli, iu bashkua koalicionit PAN, duke ia siguruar kështu votat këtij koalicioni që ta zgjedhë Kryeministrin e Kosovës, që pritet të jetë Ramush Haradinaj , si dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Marrëveshja e koalicionit ndërmjet AKR-së dhe PAN u nënshkrua të hënën në mbrëmje, vetëm disa orë pasi Behxhet Pacolli, u largua nga koalicioni që kishte para zgjedhjeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës të Isa Mustafës.

Bartësi i listës së koalicionit PAN, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, thotë se "marrëveshja e nënshkruar me zotin Pacolli është marrëveshje për qytetarët e Kosovës dhe për perspektivën e vendit, orientimin e tij pro-perëndimor, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e punësimit të të rinjve”.

"Kjo është e mirë për të gjithë qytetarët tanë. Ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari dhe është zbatim i vullnetit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017”, tha Kadri Veseli.

Ndërkohë, Behxhet Pacolli, ai që në Prishtinë po cilësohet personi që zhbllokoi ngërçin politik, tha se "interesi i marrëveshjes së koalicionit me PAN, është dalja prej krizës institucionale".

"Jam i bindur se tash, me këtë koalicion, ne do t'i shtyjmë proceset përpara”, tha Behxhet Pacolli.

Nga ana e tij, i emëruari si kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, i cili udhëheq Aleancën për Ardhmërine e Kosovës, tha se marrëveshja i mundëson Kosovës nisjen e nevojshme për përballje me sfidat që e presin.

"Unë besoj shumë që së bashku do t'ia dalim. Mund t'i uroj qytetarët e Kosovës, të gjithë që jetojnë në Kosovë, pra, mund t'i uroj edhe shqiptarët kudo që janë, sepse më në fund Kosova u nis, pra, institucionet e Kosovës. Vonesat kanë qenë shumë të rënda dhe të panevojshme”, tha Haradinaj.

Dy subjektet tjera politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e kanë komentuar marrëveshjen e koalicionit PAN-AKR, por gjatë ditës përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike janë takuar dhe siç thanë "janë dakorduar që të nisin bisedimet për hartimin e një platforme të përbashkët qeverisëse”, ndonëse nuk specifikuan sesi do të mund të sigurojnë votat e mjaftueshme për ta bërë vetë qeverinë e Kosovës.

Sidoqoftë, tash për tash akoma nuk është caktuar data se kur do të mbahet seanca e re e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të zgjedhjet Kryetari i Kuvendit dhe më pas edhe qeveria e Kosovës.

Pesë herë radhazi ka dështuar Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi koalicioni PAN, në të cilin bëjnë pjesë PDK, AAK dhe Nisma, nuk arrinin të siguronin votat e mjaftueshme, shumicën e thjeshtë prej 61, nga 120 vende sa i ka Kuvendi i Kosovës. Koalicioni PAN, së bashku me pakicat kombëtare përfshirë edhe listën "Srpska”, kishte 59 vota, mirëpo, tash pasi këtij koalicioni ju bashkua edhe AKR e Behxhet Pacollit, koalicioni PAN, pritet të ketë 63 vota. Me këtë do të mund të zgjidhte edhe Kryetarin e Kuvendit, edhe qeverinë e Kosovës.