1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Qeveria mblidhet në Mitrovicë

Bekim Shehu / Prishtinë10 Prill 2008

Qeveria e Kosovës mbajti sot mbledhjen e saj në qytetin e Mitrovicës. Me ketë synohet të dëshmohet se institucionet e Kosovës do të kenë shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/DfQX
Ura e Mitrovicës
Ura e MitrovicësFotografi: DW/Sand

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se qeveria e tij do të marrë të gjitha masat që të ruhet tërësia territoriale e Kosovës dhe institucionet e Kosovës të kenë shtrirje në të gjithë territorin e vendit. Ai kërkoi nga serbët e Kosovës sidomos nga ata të pjesës veriore të Kosovës që të integrohen në shoqërinë kosovare dhe të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës.

Këto deklarata kryeministri Thaçi i bëri në një mbledhje të qeverisë e cila u mbajt në pjesën jugore të qytetit të
Mitrovicës. Qëllimi i mbajtjes së mbledhjes së qeverisë në Mitrovicë sipas kryeministrit Thaqi, është që të dëshmohet se institucionet duhet të funksionojë në të gjitha rajonet e vendit dhe të jenë sa më afër qytetarit.

Kryeministri Thaçi, tha se gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi është e qetë, mirëpo, pranoi se në pjesën veriore të Mitrovicës akoma ka probleme. Dy pikat doganore në kufirin veriorë me Serbinë, akoma janë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Ato u dogjën nga serbët lokalë gjatë një proteste kundër pavarësisë së Kosovës. Në këto dy pika kufitare janë të vendosura forcat paqerujatëse,
mirëpo ato nuk janë të obliguara që të kontrollojnë mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Në këtë kuadër sipas udhëheqësve politik kosovarë nga këto dy pika kufitare po zhvillohet kontrabandë e paparë dhe dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të Kosovës janë mbi 40 milionë euro.

Kryeministri Thaçi tha se në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar në Kosovë shumë shpejtë në këto dy pika kufitare do të vendoset sërish Shërbimi Doganor i Kosovës.