1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova anëtarja e 210-të e FIFA-s

PP (dpa, afp)13 Maj 2016

Kosova pranohet në FIFA. Zvicra ka frikë se mund t'i largohen nga ekipi kombëtar lojtarët me origjinë nga Kosova.

https://p.dw.com/p/1Inh8
Fotografi: Getty Images/A.Kisbenedek

Federata botërore e futbollit FIFA ka dy anëtarë më shumë. Të premten 207 anëtarët me të drejtë vote të 209 federatave kombëtare miratuan në Kongresin e FIFA-s në Mexico City kërkesat për pranimin e Kosovës dhe të Gjibraltarit. Të dyja këto vende mund të marrin pjesë në ndeshjet e kualifikimit për Kupën e Botës 2018 në Rusi, që fillojnë në shtator 2016.

Për kërkesën e Gjibraltarit votuan në Qendrën e Kongreseve Banamex 172 shoqata të FIFA-s pro, kurse 12 ishin kundër tij. Për Kosovën votimi ishte 141 pro dhe 23 vota kundër.

Taulant Xhaka dhe Granit Xhaka
Taulant Xhaka dhe Granit XhakaFotografi: picture alliance/KEYSTONE/G. Kefalas

Detajet për të drejtën për të pjesëmarrjen në ndeshjet e kualifikimit për Botërorin 2018 duhet t'i sqarojë tani Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Pas pranimit të Kosovës si anëtare e FIFA-s Zvicra ka frikë se mund t'i largohen nga ekipi kombëtar lojtarët me origjinë nga Kosova si Granit Xhaka apo Xherdan Shaqiri.