1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ricker: "E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian"

Bekim Shehu10 Shtator 2012

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën tani bazën e vetme të kuadrit juridik të Republikës së Kosovës. Sipas GND-së qeveria e Kosovës të vazhdojë përkushtimin ndaj kërkesave në planin e Ahtisarit për pakicat.

https://p.dw.com/p/166HY
Fotografi: picture-alliance/dpa

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i përbërë nga 23 shtete evropiane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, SHBA-ja dhe Turqia, morën vendim të hënën (10.09.2012)në Prishtinë për heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Me këtë vendim, Kosova fiton pavarësinë e plotë. "Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, plani gjithpërfshirës për statusin e Kosovës, i hartuar nga Marti Ahtisari, nuk ekziston më si instanca juridike e veçantë dhe më e lartë. Tani Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit", thuhet në deklaratën për media të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

"E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian"

Në Kosovë, në ceremoninë e heqjes së mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, po marrin pjesë shumë diplomatë perendimorë me në krye hartuesin e planit gjithpërfshirës për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Plani i tij mundësoi shpalljen e mbikqyrur të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Ahtisari, po shoqërohet edhe nga diplomati gjerman, Volfgang Ischinger e Frank Wisner. Takime të veçanta me udhëheqësit politik kosovar, zhvilloi edhe ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Philip Ricker. Ai tha se me përmbylljen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, nuk i jepet fund interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, por përkundrazi, me të shtohet përqëndrimi ndaj Kosovës. "Po nis një kapitull i ri me mundësi të rëndësishme. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve. E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe në këtë kuadër dialogu ndërmjet të dyja vendeve është thelbësor", tha diplomati amerikan, Philip Ricker, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi.

Dossierbild 2 Kosovo Parlament
Fotografi: picture-alliance/dpa

GND: Qeveria e Kosovës të vazhdojë përkushtimin ndaj kërkesave për pakicat

Kosova meriton të jetë shtet tërësisht i pavarur, sepse ka zbatuar pjesën dërmuese të pikave të planit të Marti Ahtisarit, që mundësoi edhe heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Kështu konstatoi në një raport për Kosovën Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i cili megjithatë tërheq vërejtjen se nuk duhet të ketë devijime dhe se duhen respektuar pjesët tjera të planit: ''arritjet e deritashme në zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, rrezikohen ndër të tjera edhe nga raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhgënjimit të Prishtinës me "pamundësinë për ta shtrirë sovranitetin e saj në zonat veriore të banuara me serbë. Qeveria e Kosovës duhet të mbetet e përkushtuar ndaj kërkesave të planit të Ahtisaarit për pakicat, sidomos për serbët e Kosovës'', konstaton Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, Kuvendi i Kosovës, mban seancë solemne, në praninë e diplomatëve perendimorë që më 10 shtator qëndruan në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në një ceremoni të veçantë dekoron diplomatët perendimorë, që ndihmuan shpalljen e pavarsisë si dhe tani heqjen e mbikqyrjes ndërkombëtare të saj. Në mesin e tyre janë Marti Ahtisari, Frank Wisner, Wolfgang Ischinger, Pieter Feith dhe Michael Spiendelegger.