1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova përgatitet për zgjedhje të përgjithshme

Bekim Shehu4 Prill 2014

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim ligjin për zgjedhje. Data e zgjedhjeve nuk dihet akoma, por fundi i majit dhe fillimi i qershorit lakohen si koha e mundshme e daljes në vendvotime.

https://p.dw.com/p/1BbzR
Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i KosovësFotografi: picture-alliance/dpa

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar (me 03.04.) me shumicë votash në parim ligjin për zgjedhjet i cili u hap rrugë veprimeve të mëtutjeshme politike, për zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Data e saktë er mbajtjes së zgjedhjeve nuk dihet, por gati të gjitha subjetet politike janë të mendimit se zgjedhjet duhet të mbahen shumë shpejtë.

Arsim Bajrami, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe njohës i mirë i hartimit të ligjeve dhe Kushtetutës, thotë se ka mungesë të vullnetit politik që reforma zgjedhore të bëhet ashtu siç duhet. “Ky ligj nuk promovon një reformë substanciale zgjedhore pëer të cilën Kosova ka nevojë. Ndryshimet që përmban ky ligj më tepër merren me administrimin e procesit zgjedhor sesa me vet sistemin zgjedhor", thotë Bajrami. Ai mendon se shtyllat kryesore të sistemit zgjedhor mbeten të pandryshueshme. Kosova do të vazhdojë të mbetet një njësi zgjedhore, ndërsa sistemi zgjedhor do të jetë proporcional me lista të hapura.

Reformat e zhagitura

Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: Reuters

Reforma zgjedhore në Kosovë ishte iniciuar më 7 prill të vitit 2011, kur edhe Kuvendi i Kosovës aprovoi një rezolutë pikërisht për reforma zgjedhore e kushtetuese. Mirëpo, që nga ajo kohë reforma e mirëfilltë nuk ka ndodhur.

Driton Selmanaj, përfaqësues nga Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI) organizatë kjo që mbikëqyrë punën e Kuvendit të Kosovës, i tha DW-së se miratimi në parim i ligjit për zgjedhjet nuk ka të bëjë fare me reformën zgjedhore. Madje sipas tij, ndryshime e vogla që janë bërë janë tejet sipërfaqësore.

“Çështjet e rëndësishme që janë menduar që do të reflektohen në legjislacion, siç janë çështja e zonave zgjedhore, çështja e pragut zgjedhor, çështja e listave, bartësit të listave dhe struktura e KQZ-së, të gjitha janë injoruar dhe nuk janë inkorporuar në këtë ligj”, thotë Driton Selmanaj. Megjithëse ka edhe pak mundësi që ky ligj të amandamentohet dhe të bëhen edhe disa ndryshime të nevojshme, Driton Selmanaj, mendon se nuk ka vullnet politik që kjo të ndodhë.

“Nuk besoj se ka vullnet politik për ndryshime, sepse shihet një dakordim i pothuajse të gjitha subjekteve politike që me një shpejtësi ta kalojnë edhe leximin e dytë, në mënyrë që të hapet rrugë për veprimet e tjera politike për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme”, thotë Selmanaj.

Qëndrimet e pakicave

Në debatin parlamentar për ligjin për zgjedhjet janë përfshi edhe deputetët nga radhët e komuniteteve pakicë. Ata kërkojnë që në ligjin për zgjedhjet të përfshihet edhe një nen për vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për një mandat. Nenad Rashiq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve që është edhe ministër në qeverinë e Kosovës, i tha DW-së, se vendet e rezervuara për pakicat edhe për një mandat, do të tregonte vullnetin e shoqërisë kosovare për integrimin e pakicave në Kosovë.

Isa Mustafa
Isa MustafaFotografi: DW

“Jam i bindur që një vullnet i shoqërisë kosovare që pakicave t'u mundësohen edhe për një mandat vendet e rezervuara, do të ishte në favor të të gjithë shoqërisë, jo vetëm të pakicave”, thotë Nenad Rashiq.

Kjo kërkesë e pakicave në Kuvendin e Kosovës nuk mund të kalohet vetëm me ligjin për zgjedhjet, sepse një vendim i tillë kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se për ndryshime kushtetuese nuk ka kohë të mjaftueshme, sepse zgjedhjet në Kosovë do të mbahen shumë shpejt.

Tre javë më parë dy liderët e dy forcave më të mëdha politike në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike PDK, si dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa kanë rënë dakord që zgjedhjet të mbahen nga fillimi i muajit qershor. Ka dhe burime që thonë se zgjedhjet do të mbahen në fund të majit, por Thaçi dhe Mustafa deri tani nuk kanë dalur me ndonjë datë të saktë.

Miratimi i ligjit për zgjedhjet pas leximit të dytë në Kuvendin e Kosovës do t'i hapë rrugë shpërbërjes së Kuvendit. Më pas presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga brenda 8 ditësh duhet të shpallë datën zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh, nga dita e shpalljes së vendimit.