1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ratifikohet marrëveshja Kosovë - Serbi

Bekim Shehu27 Qershor 2013

Ratifikimi i projektligjit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, u bë nën masa të rrepta sigurie. Lëvizja Vetvendosja, për disa orë bllokoi të gjitha hyrjet e Kuvendit të Kosovës dhe punimet e seancës.

https://p.dw.com/p/18xYU
Fotografi: DW

Parlamenti i Kosovës, më shumicë votash ratifikoi projektligjin për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ratifikimi i këtij projektligji u bë nën masa të rrepta të sigurisë, për shkak se qindra protestues aktivist të lëvizjes “Vetvendosja”, që nga orët e para të mëngjesit kishin bllokuar hyrjet e Kuvendit të Kosovës me qëllim që ta pengonin ratifikimin. U desh ndërhyrja e njësive speciale të policisë së Kosovës për tu mundësuar deputetëve që të hyjnë në seancën e kuvendit. Dhjetra protestues dhe policë janë të lënduar, njofton policia. Edhe brenda seancës së kuvendit, deputetët e lëvizjes Vetvendosja, më forcë ndërprenë disa herë punimet, derisa sigurimi i kuvendit mundësoi vazhdimin e seancës. 84 deputet votuan PRO, ratifikimit të marrëveshjes.

Projektligji për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, standard evropian

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke arsyetuar para deputetëve projektligjin për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, tha se “normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është sipas standardeve evropiane”.

Hashim Thaci Premierminister Kosovo
Hashim Thaçi -Kryeministri i KosovësFotografi: picture alliance/dpa

“Si rrjedhojë e punës sonë serioze në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si rezultat i përmbushjes së standardeve evropiane, Kosova tashmë ka marrë dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, ku Kosova trajtohet si shtet, si të gjitha shtetet e tjera. Edhe pse pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën, sot të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e mbështesin të ardhmen konkrete evropiane të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi. Kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi, në Kuvend foli shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetvendosja”, Visar Ymeri, i cili vendosi një paralele ndërmjet parlamentit të Kosovës dhe qëndrimit të qeverisë gjermane lidhur me Serbinë për datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Gjermania po i mbron interesat e Kosovës më mirë se vetë Kosova

“Më mirë po i mbron interesat e shtetit të Kosovës qeveria dhe Bundestagu gjerman se sa qeveria dhe parlamenti i Kosovës. Bundestagu gjerman, po e kushtëzon Serbinë për datën, ndërsa, parlamenti i Kosovës po ia lëhtëson rrugën Serbisë”, tha Visar Ymeri.

Kosovo Protest
Pamje nga protesta e lëvizjes VetëvendosjaFotografi: DW

Për protestat e lëvizjes Vetvendosja dhe veprimet e tyre të dhunshme siç thuhet “sulme mbi vëzhgues dhe disa deputetë”, ka reaguar edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy en Jakobson, e cila u pengua fizikisht nga protestuesit që të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës për të përcjellë punimet e seancës.

Vetvendosja po dëmton reputacionin e Kosovës

“Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtat e qytetarëve për lirinë e shprehjes, njëkohësisht dënon përdorimin e taktikave të dhunshme në pengimin e procesit demokratik. Liria e shprehjes nuk do të thotë kufizimi i lirisë së lëvizjes për të tjerë. Duke u mbështetur vazhdimisht në taktika të dhunshme, Vetëvendosja dëmton reputacionin e Kosovës së një demokracie në zhvillim”, thuhet në një deklaratë të shkruar nga ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ratifikimi i projektligjit për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, u bë vetëm një ditë para se shefat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ta miratojnë propozimin e Komisionit Evropian, që me Kosovën të nisin negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asoocimit, MSA.