1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova refuzon bisedimet sipas planit të Ban Ki Moonit

27 Shtator 2010

Kosova refuzon bisedimet për planin gjashtë pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon. Me këtë plan parashikohen bisedime për policinë, doganat dhe gjykatat.

https://p.dw.com/p/PNUF
Negociatat e Vjenës - për çfarë do të bisedohet tani?Fotografi: AP

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thonë se Prishtina zyrtare ka bërë kompromise të mëdha kur e ka pranuar pakon e Marti Atiasarit, e cila serbëve u jep të drejta të mjaftueshme. Sipas tyre, kompromise tjera nuk do të ketë dhe në këtë mënyrë hedhet poshtë mundësia që plani gjashtë pikësh i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon të jetë pjesë e bisedave të paralajmëruara Prishtinë-Beograd. Plani i zotit Ban Ki Moon, në mes tjerash parasheh që Beogradi dhe Prishtina të diskutojnë për çështjen e policisë,

UN-Generalsekretär Ban Ki Moon vor der Vollversammlung
Ban Ki MoonFotografi: AP

doganave dhe gjykatave, me theks të veçantë në veriun e Kosovës. Edhe Beogradi zyrtar kërkon që këto pika të diskutohen me autoritet kosovare.

Beogradi kërkon Prishtina refuzon

Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, thotë se çdo diskutimi me Beogradin për çështjet e brendshme të Kosovës do ta dëmtonte funksionalitetin e shtetit.

“Kosova ka diskutuar më herët, ka biseduar dhe ka bërë kompromise për pakon e Marti Ahtisarit, kompromise me të drejtat etnike dhe me balansin gjeografik të shtrirjes së sovranitetit në tërë teritorin e Republikës. Çdo kompromis tjetër në këtë drjetim do ta dëmtonte këtë balans dhe do të humbte funksionalietin e shtetit të Kosovës. Në këtë drejtim nuk ka kompromis”, thotë Hajredin Kuçi.

Hajredin-Kuqi-PDK
Hajredin Kuçi - jo bisedime sipas planit të Ban Ki Moonit.Fotografi: DW

Në të njetën linjë shprehet edhe kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili thotë se plani gjashtë pikësh i sekretarit të përgjitshëm të OKB-së, është miratuar dy vjetë më parë. Ndërkohë që në Kosovë tash ka një realitet krejt tjetër.

“Ne e dimë se ka ekzistuar një plan gjashtë pikësh. Por pas opinionit pozitiv të Gjyaktës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës dhe pas rezolutës së miratuar në OKB, kemi një situatë tjetër më të avancuar dhe më të favorshme për pozicionin e Kosovës. Kështu që nëse do të ketë biseda politike, atëherë ato duhet të kenë vetëm miratimin e parlamentit”, thotë Jakup Krasniqi.

Vijat e kuqe "nuk janë relevante"

Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi.Fotografi: DW

Analistët e pavarur mendojnë se vijat e kuqe të potencuara vazhdimisht nga Prishtina dhe Beogradi, për të cilat thuhet se nuk do të tejkalohen, nuk janë relevante në këtë fazë, për faktin që ndërmjetësues në bisedimet e parlajmëruara Prishtinë-Beograd, është Bashkimi Evropian. Agron Bajrami, thotë se çështja e veriut të Kosovës padyshim që do të jetë pika më e nxehtë e bisedimeve. Ai mendon se veriu duhet diskutuar me serbët lokal.

“Ajo që duhet të ndodhë është se nuk duhet hapur diskutimi i çëshjes së veriut me Beogradin. Kjo çështje duhet të diskutohet me serbët e veriut apo me mirë të them me serbët lokal, në mënyrë që dialogu të hapet brenda Kosovës dhe jo në raport me Serbinë. Ky dialog me serbët lokal do ta bënte të panevojshëm dialogun për veriun me Beogradin”, thotë Agron Bajrami.

Ende pa axhendë zyrtare Institucionet kosovare akoma nuk e kanë publikuar axhendën e tyre të bisedave me Serbinë. Ato thonë se axhenda e Kosovës do të jetë e kordinuar mirë ndërmjet qeverisë, parlamentit dhe presidencës, por nuk caktojnë një datë se kur kjo do të ndodhë. Mediat në Kosovë shkruajnë se filimi i tetorit do të jetë koha kur Prishtina dhe Beogradi do të fillojnë bisedimet.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani