1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova së shpejti me qeverinë e re

1 Shkurt 2011

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për formimin e koalicionit qeveritar. Hashim Thaçi, thotë se shumë shpejtë do ta formojë qeverinë e re.

https://p.dw.com/p/QxIE
Thaçi do të krijojë qeverinë e reFotografi: dpa

Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë, hapi mundësinë e vërtetimit të këtyre zgjedhjeve dhe përmbylljen e procesit të stërzgjatur të zgjedhjeve parlamentare. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, partia e të cilit fitoi numrim më të madh të mandateve në parlament, thotë se qeveria e re e Kosovës që do të formohet do të jetë një qeveri shumëpërfshirëse, megjithatë nuk bën të ditur se me kë do të hyjë në koalicion.

"Menjëherë me çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, do të kemi qeverinë e re shumetnike, shumëpërfshirëse në kuptimin politik dhe një qeveri me orientim evropian", tha Hashim Thaçi.

Kosovo Wahlen FLASH Galerie
Kosova zgjedhFotografi: AP

Janë gjithsej pesë parti parlamentare të shqiptarëve të Kosovës, që kanë shumicën e deputetëve në kuvendin e Kosovës, gjithsej 95 nga 120 ulëset e kuvendit. 25 mandate u takojnë pakicave kombëtare. Deri tani nga këto parti, janë LDK-së dhe lëvizja Vetvendosja, të cilat kanë qëndrim të prerë se nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në, e Hashim Thaçit. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se partia e tij përfundimisht do të mbetet në opozitë.

"Jo ne nuk do të bëjmë koalicion me PDK-së, ne jemi pozicionuar si LDK, të jemi në opozitë në parlamentin e ardhshëm të republikës së Kosovës", thotë Isa Mustafa. Zoti Mustafa, vazhdon të mbajë qëndirmin se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja, për shkak të siç thotë ai manipulimeve që ndodhën, por kjo duhet të ndodhë sepse parlamenti të ndryshojë ligjin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, përfaqësuesit e AAK-së, parti kjo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj i cili gjendet në Hagë, akoma nuk kanë një qëndrim të prerë rreth koalicionit të mundshëm me PDK-në, mirëpo shprehen të hapur për biseda thotë nënkryetari i kësaj partie Ahmet Isufi. "Qeveria e Kosovës duhet të jetë ajo qe i shërben qytetarëve dhe prandaj them se AAK merr pjesën e përgjegjësisë së vet qoftë nëse hyn në qeveri, apo mbetet në opozitë", thotë Ahmet Isufi.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy Mc Gaffy, thotë për programin tonë se është në vullnetin e partive politike që të dakordohen rreth koalicioneve qeveritare në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas tij, kjo është pjesë normale e politikës në demokracitë parlamentare pa implikime të mëtejshme.

NO FLASH Kosovo Wahlen Parlament
Lëvizja "vetvendosja" futet për herë të parë në parlamentFotografi: AP

Nga ana tjetër përfaqësuesit e AKR-së, parti kjo e biznesmenit Behxhet Pacolli, thonë se ata mund të jenë pjesë e qeverisë Thaçi, nëse zotit Pacolli i garantohet posti i pesidentit të vendit. Sidoqoftë, në këtë situatë të ndodhur analisitët politik, thotë se Hashim Thaçi, nuk do ta ketë vështirë që ta bëjë qeverinë.

Analisti Ymer Mushkolaj, kështu e mendon koalicionin e ardhshëm qeveritar. "Duke pasur parasysh qëndrimet e deritashme, atëherë partnerët e vetëm zotit Thaçi mbeten, AAK dhe AKR-se. Sa i përket AKR-së, unë mendoj se kjo është një punë e kryer, sepse gjatë mandatit të kaluar kemi parë se Behxhet Pacolli, ka ndihmuar Hashim Thaçin. Ndërsa, sa i përket AAK-së, unë konsideroj se është momenti i fundit kur kjo parti duhet të hyjë në qeveri, pikërisht për të shpëtuar shpërbërjen e saj. Pra unë mendoj se një qeveri gjithëpërfshirëse ndërmjet PDK-së, AAK dhe AKR-së, duke futur këtu edhe pakicat do të ishte një qeveri sadopak stabile", thotë Ymer Mushkolaj.

Zyrtarë të KQZ-ve, thonë se brenda kësaj jave do ta çertifikojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe në këtë mënyrë do t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama