1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova "shtet i papërfunduar"

8 Gusht 2009

Ndonëse ka shpallur pavarësinë, Kosova është një "shtet i papërfunduar", me sovranitet të kufizuar dhe de facto i ndarë në veriun serb dhe në jugun e qeverisur nga shqiptarët. EULEX-i ka shënuar vetëm arritje modeste.

https://p.dw.com/p/J611
Selia e Fondacionit Friedrich-Ebert në BerlinFotografi: picture-alliance/ ZB

Prej misionit EULEX të Bashkimit Evropian në Kosovë duhet pritur dhe kërkuar shumë më tepër. Parimisht ende ndiqet politika e dështuar e UNMIK-ut. Të këtij mendimi janë dy autorët e analizës më të re të fondacionit Friedrich Ebert 'Kosova pas pavarësisë' Vedran Džihić, lektor në institutin e shkencave politike të Universitetit të Vjenës, dhe Helmut Kramer, profesor i ekonomisë dhe i politikës ndërkombëtare. Ata janë autorë të librit të botuar në vitin 2006 'Bilanci i Kosovës - Po dështon bashkësia ndërkombëtare?'

Eulex Kosovo
EULEX-i ka vështirësi të shumtaFotografi: AP

"Gjashtë muaj janë zyrtarisht, por EULEX-i duhet ta kishte nisur punën shumë më herët. Dhe kur shikon se si ka kaluar ky një vit e gjysmë gjithsej, në kaos ligjor dhe pështjellim, atëherë bilanci për mendimin tonë nuk është fort i mirë. Megjithëse EULEX-i arriti të shënonte përparim me strategjinë e fuqizimit të ligjit dhe të depolitizimit të situatës, si në çështjen e institucioneve doganore dhe në atë të gjykatës së Mitrovicës, çështjet madhore mbeten problematike. Për mendimin tim, me gjithë ngulmimin e qeverisë kosovare për të kundërtën, Kosova është ende e ndarë në dy pjesë. EULEX-i nuk qe në gjendje të ndryshonte gjë në këtë situatë në veri në pjesën e dominuar nga serbët. Në të vërtetë, deri më sot edhe sukseset në fushën e drejtësisë dhe të gjyqësorit nuk kanë qenë aq spektakolare", thotë Vedran Džihić.

Suksesi i misionit EULEX do të varet në masë të madhe nga konkretizimi i perspektivës evropiane të Kosovës. Si i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, që nuk ka nënshkruar Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me Bashkimin Evropian, hapi i parë do të ishte fillimi i bisedimeve për këtë marrëveshje, siç rekomandojnë autorët e analizës, brenda kryesisë suedeze të radhës në BE.

Beligen EU Präsidentschaft Schweden Carl Bildt
Carl Bildt "ka hapur një dritare"...Fotografi: AP

"Për Bashkimin Evropian ky duhet të ishte një synim, që ia vlen. Jam i mendimit, se gjatë kryesisë së Suedisë me BE-në, është hapur një dritare e vogël pasi që Carl Bildt-i ka një përvojë të gjerë me Ballkanin. Kjo dritare duhet shfrytëzuar me çdo kusht. Mendoj, se është e domosdoshme që nga njëra anë të fillojnë bisedimet për MSA-në dhe së dyti të arrihet një qëndrim shumë më i qartë i BE-së në çështjen e liberalizimit të vizave. Këtu ka tashmë shenja të para, por duhen hedhur hapa më të shpejta në këtë drejtim", pohon Vedran Džihić.

Megjithatë Džihić nënvizon se edhe gjatë kryesisë së Suedisë shumë gjëra do të varen nga bashkëpunimi i Beogradit dhe nga qëndrimi i vendosur i BE-së ndaj tij. Kjo pasi Beogradi vazhdon të sillet më shumë në mënyrë penguese dhe të bllokojë këtë proces, që do të ishte shumë i rëndësishëm për vetë Beogradin. Analisti Džihić e vlerëson pozitiv liberalizimin e vizave për Serbinë në kuadër të strategjisë së përgjithshme të evropianizimit të Ballkanit Perëndimor, por shprehet skeptik ndaj qendrimit të saj pas kësaj.

"Një hap i parë i rëndësishëm në strategjinë e përgjithshme të evropianizimit. Por për sa i takon Serbisë pas heqjes së detyrimit të vizave jam skeptik. Në Serbi do të pasojnë vitet e mundimshme të hapave të ngadaltë të afrimit me BE-në, dhe nuk jam i sigurt, nëse BE-ja në këtë kohë do të ketë fuqinë për të "blerë" nga Beogradi, atë që është e domosdoshme në rastin e Kosovës. Sidoqoftë, trysnia nga ana e BE-së duhet shtuar edhe mbi Beogradin dhe dialogu teknik në shumë rrafshe me Prishtinën duhet të kthehet në një prej parakushteve për përparimin e mëtejshëm në procesin e evropianizimit", pohon ai.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani