1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Zhvillohen zgjedhjet lokale në veri

23 Prill 2023

Presidentja Osmani tha se edhe pse disa qytetarë të veriut kanë qenë objekt kërcënimesh dhe frikësimesh pjesëmarrja në zgjedhje është në të mirë të banorëve të veriut.

https://p.dw.com/p/4QS5D
Veriu i Kosovës: Zgjedhjet nuk zhvillohen në objekte shkollore siҫ zakonisht, por në kontejnerë
Veriu i Kosovës: Zgjedhjet nuk zhvillohen në objekte shkollore siҫ zakonisht, por në kontejnerë Fotografi: M. Andrić-Rakić/DW

Megjithë bojkotimin që partia më e madhe serbëve të Kosovës, Lista Srpska, po u bën zgjedhjeve lokale në veri, autoritet kosovare janë të vendosura që të zhvillojnë procesin zgjedhor për kryetar të komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Zveҫan dhe Mitrovicë e Veriut.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e së dielës (23.04.), ndonëse, votimi nuk do të zhvillohet nëpër objekte shkollore siҫ ndodh zakonisht. KQZ-ja njoftoi se tashmë ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, ku do të ketë gjithsej 19 qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka ndërmarrë të gjitha masat për krijimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor.

Policia e Kosovës po kujdeset për krijimin një mjedis të sigurt për procesin zgjedhor
Policia e Kosovës po kujdeset për krijimin një mjedis të sigurt për procesin zgjedhorFotografi: M. Andrić-Rakić/DW

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoqini, u bëri thirrje qytetarëve të katër komunave në veri të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

"Ne si Komision kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të organizuar zgjedhjet. Kemi të gjitha vendvotimet të cilat i kemi miratuar. Kemi vendosur kontejnerët në vendet e caktuara dhe çdo gjë është gati për fillimin e zgjedhjeve. Prandaj në emër të KQZ-së unë ftoj të gjithë qytetarët e komunave të veriut që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të dalë në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe të ndërtojnë institucionet e tyre demokratike”, tha Radoniqi.

Nga 10 kandidatë vetëm njëri nga komuniteti serb

Lista Srpska kishte deklaruar më herët se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe Partia e Serbëve të Kosovës, që fillimisht ishte regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, në momentet e fundit, hoqi dorë nga pjesëmarrja, për shkak të siç tha "mungesës së kushteve të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve”. Prandaj në këto zgjedhje marrin pjesë 10 kandidatë prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb.

Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të shkuar, kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia.

Osmani: Thirrje për pjesëmarrje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit. Ajo tha se pavarësisht se disa qytetarë të veriut kanë qenë objekt kërcënimesh dhe frikësimesh pjesëmarrja në zgjedhje është në të mirë të banorëve të tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa OsmaniFotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

"E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t'ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë dua t'ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar. Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023”, tha Presidentja Osmani.

Lista Srpska: Thirrje për bojkotim të përgjithshëm

Lista Srpska, që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve serbë për bojkotim të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve të cilat i ka quajtur "jodemokratike të organizuara nga Albin Kurti”. Kjo listë tha se serbët duhet të "shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm dhe që është kundër interesave të popullit serb”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Peter StanoFotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

Kurse zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, tha se "është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 23 prillit në katër komunat veriore”. Stano tha se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që ta kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët e Kosovës janë në një situatë të vështirë, pasi që ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas tij pasi të formohen autoritetet e reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do të ketë sikurse tha ai "pushtim të plotë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar VuçiqFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

"Populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t'i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta”, tha Vuçiq, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Beta.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan zhvillohen sot (23.04.)  zgjedhjet për kryetarët e rinj të komunave, kurse në Zveçan dhe Leposaviq do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.