1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krah për krah në Berlin - Takimi Merkel-Olmert

Marx, Bettina (DW Berlin) 12 Shkurt 2008

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, u takua të martën (12.02) me kancelaren gjermane Angela Merkel. Në bisedimet bilaterale Merkel e siguroi kryeministrin izraelit për mbështetjen e plotë të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/D6Xh
Angela Merkel dhe Ehud Olmert në BerlinFotografi: picture-alliance/ dpa

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert u prit me mjaft përzemërsi në Berlin. Pas bisedimeve zyrtare dyplaëshe, kanclarja Angela Merkel garantoi mbështetjen gjermane, para së gjithash në përpjekjet për vazhdimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme:

"Ne i përkrahim përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete dhe besojmë që negociatat mund të japin një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Ne shkëmbyem mendime për atë se koha nuk pret. Nga ana jonë ne kemi ofruar mbështetjen tonë, aq sa mundemi dhe këto mundësi janë të kufizuara." Gjermania synon të ofrojë ndihmën e saj në kualifikimin e forcave palestineze të sigurisë, tha Merkel.


Por për Izraelin më e rëndësishmja është përkrahja diplomatike pa kushte e Berlinit. Kështu kancelarja nuk tha asnjë fjalë kritike për vazhdimin e ndërtimit të ngulimeve izraelite. Edhe gjendjen humanitare dramatike në Rripin e Gazës Merkel e përmendi vetëm shkarazi. Po qe se palestinezët do të pushonin aktivitetet terroriste, as nuk do të shtrohej çështja e sanksioneve kundër Gazës, tha Merkel duke shtuar: "Unë vetëm mund të shpresoj, që vetë njerëzit në Gaza të përdorin të gjithë influencën e tyre të mundshme për të ndaluar aktivitetet terroriste, sepse kjo nuk është në të mirë të popullit."


Olmert nga ana e tij u tregua i vendosur se vendi i tij do të bëjë ç'është e mundur për të ndaluar sulmet me raketa që vijnë nga Rripi i Gazës.


Të vetmet dallime mes qeverisë gjermane dhe Izraelit u shfaqën në qëndrimin ndaj Iranit. Olmerti e bëri të qartë, se ai nuk është i bindur që Irani sipas shërbimeve sekrete amerikane e ka ndërprerë programin atomik qysh në vitin 2003: "Izraeli është i mendimit se iranianët e vazhdojnë planin e tyre për zhvillimin e armëve jokonvencionale. Asgjë nuk e ka ndryshuar qëndrimin tonë. Jemi të sigurtë që iranianët po bëjnë përpjekje të fshehta për të zhvilluar kompetencat e tyre në këtë drejtim. "


Për këtë arsye Izraeli nuk e përjashton mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Teheranit. Olmert në Berlin: "Bush ka thënë njëherë: Asnjë opcion nuk përjashtohet. Mendoj ky është një përkufizim interesant dhe këtij nuk mund t'i shtoj asgjë tjetër."