1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krijohet grupi i miqësisë gjermano-kosovare

25 Janar 2010

Grupi i miqësisë ka për qëllim vënien e kontakteve të drejpërdrejta me parlamentarë gjermanë, në mënyrë që Kosova të fitojë përvoja në fushën parlamentare

https://p.dw.com/p/LgT4
Fotografi: AP

Miqësia ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është ndërtuar ndër vite dhe kjo miqësi do të vazhdojë, thonë udhëheqës politikë kosovarë. Bazuar në këtë lidhje ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, në Prishtinë u formua grupi i miqësisë gjermano-kosovare. Arsim Rexhepi, deputet në kuvendin e Kosovës, i cili kryeson grupin e miqësisë gjermano-kosovare, i tha DW-së se brenda Bundestagut gjerman ekzistojnë grupe të miqësisë me të gjitha vendet e Evropës Juglindore dhe në këtë linjë edhe Kosova e ka shfrytëzuar këtë mundësi, e cila sipas tij nuk kërkon ndonjë protokoll të veçantë, por ndërtohet vetëm mbi bazën e një vullneti të mirë.

Kosovo, Parlamentsgebäude in Prishtina
Ndërtesa e parlamentit në PrishtinëFotografi: DW/ Pandeli Pani

“Gjermania, ka paraqitur dhe paraqet një vend shumë me rëndësi për marrëdhënie bileterale me Republikën e Kosovës. Kushti i vetëm në këtë mes është vullneti i mirë dhe ekzistimi i një grupi edhe nga pala tjetër në këtë rast nga Gjermania. Në Gjermani ka ekzistuar vazhdimisht vullneti për ndërtimin e grupeve të miqësisë”, thotë Arsim Rexhepi.

Deputeti Arsim Rexhepi thotë se demokracia gjermane ka shumë për të dhënë dhe Kosova ka nevojë të përfitojë nga demokracitë e vendeve të zhvilluara.

“Ky grupi ynë, pretendon se duke i thelluar dhe intensifikuar kontaktet me parlamentarët gjermanë, shoqata të ndryshme gjermane, grupe të ndryshme interesi, qofshin ato edhe grupe biznesi, mund të sjellë në marrëdhënie të drejpërdrejta qofshin ato ekonomike dhe politike, për të cilat kemi shumë nevojë si një shtet i ri”, thotë deputeti Arsim Rexhepi.

Gjatë një koktei ditë më parë me rastin e themelimit të grupit të miqësisë gjermano-kosovare, ambasadori gjerman në Prishtinë, Hans Dieter Steinbach, tha se edhe në në vitin 2010 do të ketë përpjekje intensive që Bundestagu gjerman dhe Kuvendi i Kosovës të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Kosovo Unabhängigkeit Erklärung im Parlament in Pristina
Parlamenti në PrishtinëFotografi: AP

“Vitin e shkuar gjermanët zgjodhën një parlament të ri Bundestagun e 17 dhe shpresoj që edhe kjo përbërje e parlamentit gjerman do të zhvillojë një bashkëpunim po ashtu intensiv me deputetët e kuvendit të Kosovës, bashkëpunim të cilën e kanë zhvilluar edhe deputetët e Bundestagut të 16-të”, thotë ambasadori Steinbach.

Për bashkëpunimin gjermano-kosovar dhe angazhimin gjerman në Kosovë flet edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentlter. Në një intervistë të mëhershme dhënë DW-së, gjenerali, Bentler thotë.

“Të gjithë gjermanët këtu në Kosovë dhe ata në Gjermani punojnë për zhvillim në këtë linjë mund të them edhe për zhvillimin e Kosovës. Pra praktika e angazhimit të përgjithshëm ndikon edhe në psikologjinë e njerëzve se duhet punuar. Gjermania është shumë e angazhuar në përkrahje të Kosovës. Ka shumë ndihma financiare, ka ndihma edhe në çështjen e sigurisë, Gjermania ka më së shumti trupa në Kosovë, një gjerman është në krye të KFOR-it, një tjetër gjerman është në krye të policisë së EULEX. I gjithë ky angazhim ka edhe një lidhje tjetër që shumë kosovarë jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe unë këtë do ta quaja një miqësi, që është ndërtuar ndër vite', thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler.

General Markus Bentler
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus BentlterFotografi: DW/Bekim Shehu

Gjermania është një ndër vendet e para, që njohu pavarësinë e Kosovës. Në ndihmë financiare qeveria gjermane është po ashtu një ndër dhurueset më të mëdha si në formë dionacionesh, ashtu edhe në formë kredish, tregojnë statistikat nga ministria e financave të Kosovës. Ndihma e fundit gjermane për Kosovën ishte shuma prej 33.5 milion eurosh, një pjesë donacion dhe një pjesë kredi për sektorin e energjisë. Zotimet e qeverisë gjermane për Bashkëpunim financiar me Kosovën që nga paslufta kapin vlerën prej më shumë se 200 milionë Euro, të holla këto që janë fokusuar në përkrahjen e sektorit të energjisë, atij financiar dhe të ujit. Si fushë kyqe e bashkepunimit financiar ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, llogaritet sektori i energjisë, ku që nga viti që nga viti 1999 Gjermania ka zotuar më se 100 milionë Euro.

Autor:Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica