1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020709 Amnesty Gaza

2 Korrik 2009

Ofensiva izraelite në Gazë para gjysmë viti ishte një akt tërbimi të verbër dhe veprim i vetëdijshëm për humbjen e shumë civilëve. Në këtë përfundim arrin organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International.

https://p.dw.com/p/IfWe
qyteti i Gazes dhe stema e AI
AI: Përmasat dhe intensiteti i sulmeve ishin të pashembulltaFotografi: AP/DW-Grafik

Raporti i Amnesty International (AI) për ofensivën izraelite në Gazë në dhjetor - janar të vitit të kaluar është një dokument tmerresh. Në 117 faqe dokumentohen vdekjet, vuajtjet dhe shkatërrimet gjatë 22 ditëve që zgjati operacioni "Plumbi i shkrirë" në Rripin e izoluar të Gazës.

Përmasat dhe intensiteti i sulmeve ishin të pashembullta, thuhet në raport. Bilanci tragjik i tyre: 1.400 viktima, mes tyre qindra civilë dhe të paktën 300 fëmijë; qindra shtëpi dhe ndërtesa të shkatërruara dhe mijëra qytetarë që mbetën pa strehë. Për këtë tërbim të verbër nuk ka justifikim në aspektin ushtarak. Përkundrazi, bashkëpunëtorët e Amnesty International të dërguar në Gazë, kanë gjetur dëshmi, se shkatërrimet janë bërë pa arsye, me dashje dhe shpesh prej tyre e kanë pësuar civilët e pafajshëm.

Për shembull, në Xhebalia në veri të Rripit të Gazës gjetën vdekjen më 29 dhjetor pesë motra nga mosha 5 deri në 17 vjeç. Ato kishin mbetur nën gërmadhat e shtëpisë së tyre. Ajo u shkatërrua pas bombardimeve të kryera ndaj një xhamie në afërsi, e cila siç duket ishte vend takimi për pjesëtarët e Hamasit. Civilë të tjerë janë vrarë me armë të precizionit të lartë snajperistëve, të cilat Izraeli i përdor për të ashtuqujaturat vrasje me synim të caktuar, thuhet ndër të tjera në raportin e Amnesty International.

Këto të dhëna janë të ngjashme me rezultatet e hetimit të prezantuar para dy ditësh nga Organizata tjetër për të drejtat e njeriut Human Rights Watch. Ajo merret me avionët pa pilot, që normalisht përdoren për zbulim. Por Izraeli po i përdor këta avionë edhe si armë luftarake. Marc Garlasco, ekspert për armatimet pranë Human Right Watch thotë: "Gjatë operacionit 'Plumbi i shkrirë' janë vrarë me këta avionë nga ushtria izraelite të paktën 87 civilë. Këto armë janë më precizet që mund të ketë një ushtri në arsenalin e saj. Pajisjet optike janë të habitshme, ato i mundësojnë vëzhguesit të shohë saktë ku ndodhet dhe të dallojë objektivat ushtarake prej atyre civile".

Izraeli ka kryer krime të rënda lufte, thotë mjeku dhe politikani palestinez, Mustafa Barghouthi. Në programin në gjuhën angleze të kanalit televiziv Al Xhazira ai akuzoi Izraelin se ka sulmuar civilët dhe ka penguar mjekët që të përkujdesen për të plagosurit. Përveç kësaj Izraeli ka përdorur armë ilegale me fosfor. Izraeli e di saktë që i ka kryer këto krime lufte ndaj i pengon hetimet e organizatave ndërkombëtare.

"E gjitha çfarë duam është e vërteta. Por ne duam po ashtu që bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj kësaj të vërtete. Nuk është e pranueshme që t'i lejohet Izraelit të sillet në një mënyrë sikur ai të qëndronte mbi të drejtën ndërkombëtare. Mosndëshkimi i Izraelit nuk mund të pranohet. Ai po shkatërron të ardhmen e të gjithëve duke përfshirë edhe të ardhmen e vetë Izraelit".

Në fillim të javës në Rripin e Gazës qëndroi i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Richard Goldstone. Ai po merret me hetimin e akuzave për krime lufte. Ai ka marrë në pyetje viktima dhe dëshmitarë okularë të ofensivës ushtarake izraelite. Izraeli megjithatë refuzon bashkëpunimin me juristin afrikanojugor, i cili në vitet 90-të ka vepruar si kryeprokuror i Gjykatës së lartë ndërkombëtare për krime lufte në Jugosllavi dhe në Ruandë.

Autor: Bettina Marx/Esat Ahmeti
Redaktoi: Pandeli Pani