1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krime: Obama dhe Putini këmbëngulin në pozicionet e tyre

Mimoza Cika-Kelmendi17 Mars 2014

Më shumë se 95% e popullsisë në Krime voton pro bashkimit me Rusinë. SHBA dhe BE nuk e njohin Presidenti rus Putin nuk i pranon kritikat e Perëndimit.

https://p.dw.com/p/1BQjk
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në referendumin e kritikuar ndërkombëtarisht e që u zhvillua të dielën (16.03) në gadishullin ukrainas të Krimesë, qytetarët kanë votuar për një bashkim të Krimesë me Rusinë. Sipas të dhënave të komisionit zgjedhor, rreth 95 për qind e qytetarëve të Krimesë që morën pjesë në votim ishin për një përfshirje të territorit të tyre në vendin fqinjë. Nga rreth 1,8 milionë qytetarë me të drejtë vote, 80 për qind morën pjesë në referendumin e së dielës. Këtë të hënë (17.03) do të zhvillohet një takim i posaçëm i Parlamentit të rajonit në Simferopol lidhur me hapat e mëtejshëm për t'iu bashkangjitur Federatës Ruse.

Putin nuk pranon kritikat nga Perëndimi

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë kritikat e Perëndimit lidhur me referendumin e zhvilluar në Krime. Në një telefonatë me presidentin amerikan Barack Obama, Putin tha se referendumi është bërë në përputhje të plotë me normat e së drejtës ndërkombëtare. Sipas të dhënave të Kremlinit, Putin deklaroi veç kësaj se udhëheqja e re e Ukrainës nuk ka ndërmarrë asgjë kundër grupimeve nacionaliste dhe radikale që destabilizuan situatën dhe terrorizuan qytetarët paqësorë.

Qeveria amerikane përmes një deklarate i kishte cilësuar veprimet e Rusisë në Ukrainë si të rrezikshme dhe destabilizuese. "Një vend po merr me forcë territorin e një vendi tjetër”, ka qenë ky reagimi i parë i ardhur nga SHBA. Bashkësia ndërkombëtare duhet së bashku të bëjë të qartë se asnjë pjesë e vendit nuk duhet të shkëputet për t'u bërë pjesë e një vendi tjetër, deklaroi një zedhënës i Obamës.

Ministri i Jashtëm amerikan, John Kerry, gjatë një bisede telefonike i përsëriti ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se “referendumi në Krime është i paligjshëm dhe rezultati i tij nuk do të njihet”. Ai i tha homologut rus, se kriza në Ukrainë mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike dhe Rusia duhet të tërheqë trupat dhe të adresojë tensionet dhe shqetësimet për angazhimet ushtarake.

Edhe Bashkimi Europian e konsideron referendumin në Krime të paligjshëm dhe nuk do të njohë rezultatin e tij. Përmes një deklarate të përbashkët, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy dhe kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso thanë se zhvillimi i këtij procesi bie ndesh me Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar.