1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krimea po shkëputet nga Ukraina gjithnjë e më shumë

Mikhail Bushuev / Bahri Cani6 Mars 2014

Udhëheqja e re në Krime po përpiqet të fusë nën kontroll gjithë strukturat e sigurisë. Së fundi parlamenti rajonal i Krimesë vendosi mbajtjen e referendumit për bashkimin me Rusinë në 16 mars.

https://p.dw.com/p/1BL03
Parlamenti rajonal në Krime
Fotografi: DW/M. Bushuev

Në Simferopol, në kryqytetin e Republikës Autonome Krime, nuk kalon asnjë ditë që udhëheqësia e afërt e Moskën të mos miratojë ndonjë ligj të ri. Kryeministri i Krimesë ka në fakt shumë pak kompetenca dhe pushtet. Por kryeministri i ri Sergej Aksjonov pas vetëm një jave ka dëshmuar se ngadalë po shndërrohet në pushtetmbajtësin e vetëm të kësaj republike autonome. Ai shumë shpejt i ka vënë nën kontroll të gjitha autoritetet e sigurisë: policinë, prokuroritë dhe shërbimet sekrete dhe në këtë mënyrë ia ka marrë qeverisë ukrainase kontrollin e deritanishëm në Krime. Parlamenti rajonal dhe presidenca e kanë shpallur atë ndërkohë si komandant të forcave ushtarake në këtë republikë.

Simferopoli do të ketë ushtrinë e vet

Aksjonov ende nuk i ka trupat e veta por tani ka filluar të mendojë se si të marrë kontrollin mbi ushtrinë ukrainase të stacionuar në Krime. Ai e ka bindur një prej oficerëve të rëndësishëm që t'i nënshtrohet komandës së tij: komandantin e marinës ukrainase. "Ky është një moment historik: lindja e ushtrisë së Krimesë", kumtoi Aksjonov para kamerave televizive. Mediat njoftojnë se ndërkohë urdhërave të Aksjonovit u janë nënshtruar edhe disa oficerë të tjerë ukrainas.

Por ende nuk mund të thuhet se çfarë pushteti ka në fakt Aksjonov. Në Simferopol askush nuk flet me shifra. Ndërkohë që Krimea kurrë nuk ka pasur ndonjë ushtri në Ukrainë. Pushtetmbajtësi i ri në Simferopol do që tani të ketë madje edhe një ministri të mbrojtjes.

Sergej Aksjonow
Sergej AksjonowFotografi: DW/Mikhail Bushuev

Pa kontakte me Kievin

Aksjonov emrin e të cilit shumëkush në Krime e lidhë me struktura kriminale, është i interesuar që të marrë pushtetin jo vetëm mbi forcat e sigurisë. Ai shumë shpejt ka bërë ndryshime edhe në strukturat e autoriteteve dhe administratës vendore. Udhëheqësia e re i ka urdhëruar autoritetet financiare që të gjitha tatimet e marra në Krime të mbeten në këtë Republikë dhe të mos dërgohen në kryeqytetin ukrainas Kiev. Në pyetjen e Deutsche Welles nëse Simferopoli ka kontakte me qeverinë në Kiev, Aksjonov u përgjigj: "Jo, atë qeveri ne nuk e njohim."

Më i përmbajtur Aksjonov ishte në pyetjen nëse kjo republikë ka për qëllim të ndahet nga Ukraina. Me 30 mars është parashikuar të mbahet një referendum për statusin e Republikës Autonome, u tha. Populli duhet të vendosë. Sipas ligjeve të Ukrainës një referendum në nivel lokal nuk lejohet. Por udhëheqësia e Krimesë nuk brengoset fare për këtë punë. Simferopoli ka mbështetjen e Moskës. Aksjonov thotë se Rusia i ka premtuar një kredi, por nuk do të flasë për shifrat. Për DW ai shprehet i bindur se Rusia do ta ndihmojë Krimenë, ku 60 % e popullatës janë rusë.

Rrezistenca e minoriteteve

Ukraine russischer Soldat 05.03.2014 bei Simferopol
Fotografi: Reuters

Kundër kursit të ri të udhëheqësisë në Krime janë deklaruar përfaqësuesit e minoriteteve etnike në Krime - në radhë të parë tartarët e Krimesë. Por atyre u janë ofruar gjëra të ndryshme, njofton Refat Çuraborov, kryetar i Mexhlisit, një grupim politik tartarëve. Atyre u janë ofruar poste në këshillin ministror rajonal dhe ndihma financiare për fshtarat ku jeton ky grup etnik. Por Çubarov ka refuzuar ndihmat: "Së pari duhet të tërhiqet ushtria, duhet të kthehen paqa dhe qetësia, e pastaj mund të flasim".

Ai nuk e konsideron shefin e ri të Krimesë si legjitim. Gjatë zgjedhjeve parlamenti lokal ishte i rrethuar nga forca të armatosura dhe "kjo zgjedhje nuk mund të konsiderohet legjitime", thotë Çubarov.

Edhe më pesimistë janë ukrainasit që jetojnë atje. Ata kanë frikë se nën pushtetin e shumicës ruse do të degradohen në qytetarë të dorës së dytë dhe shpresojnë mbështetjen e qeverisë në Kiev. Kryeministri i ri ukrainas Arseni Jazenjuk ka deklaruar se integriteti territorial është i paprekshëm dhe se Kievi nuk do të heqë dorë kurrë nga Krimeja. Por duhet se Ukraina po e humbë kontrollin atje gjithnjë e më shumë.