1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta në Moskë

14 Janar 2013

Mijëra rusë protestuan kundër ndalimit të adoptimeve për shtetasit e SHBA. Organizatorët folën për rreth 40.000 pjesëmarrës. Çmimin për marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve e paguajnë fëmijët, thanë kritikët.

https://p.dw.com/p/17JHn
Protesta kunder Putinit
Protesta kunder PutinitFotografi: DW

"Turp, turp", thërrisnin shumë demonstrues, që kërkonin shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Organizatorët e quajtën marshimin sukses të madh. Rreth 40.000 vetë e ndoqën thirrjen për të demonstruar, tha njëri nga organizatorët. Policia foli për rreth 7.000 pjesëmarrës, që ecën në rrugët e Moskës mes të ftohtit që priste si brisk. Shumë prej tyre mbanin në dorë pllakata me fotografi të deputetëve rusë të parlamentit, të cilët kanë votuar në mbështetje të ligjit të ri të parlamentit rus, që ndalon adoptimet e fëmijëve rusë nga shtetas amerikanë. "Ky ligj ishte vetëm pika, që e bëri të derdhet gotën. Kjo është demonstrata jonë e parë. Më parë ne vetëm kemi treguar simpati, tani ne dolëm në rrugë", thotë një demonstrues.

Kritika për ligjin e ri, që është në fuqi që prej 1 janarit, nuk heshti as në ditët e fundit. Veprimtarë të të drejtave të njeriut, artistë të shquar dhe fëmijë të prekur, të cilëve tani iu ndalua adoptimi nga ana e familjeve të SHBA, i kërkuan presidentit Putin që ta tërheqë ligjin. Demonstruesit kërkuan që fëmijëve të mos u mohohet e drejta për një të ardhme më të mirë, pavarësisht nga fakti nëse prindërit që duan t'i adoptojnë vijnë nga SHBA ose nga Evropa.

"Ajo që dëshirojmë ne dhe ajo që kemi në fakt janë dy gjëra të ndryshme. Shanset që në këtë vend të adoptohen fëmijë handikapatë janë të barabarta me zero. Të paktën kështu ka qenë deri tani. Pse duhet të ndryshojë papritur." Kështu shprehet një demonstrues.

Protesta të opozitës kundër Putinit
Protesta të opozitës kundër PutinitFotografi: DW

Përplasje frontesh mes demonstruesve

Në një kohë që veprimtarë të të drejtave të njeriut dhe kritikë të regjimit protestuan kundër ligjit, përfaqësues të partisë që ka shumicën e votave në parlament, Rusia e Bashkuar, u organizuan kundër demonstruesve. "Njerëzit që dolën sot në rrugë kundër ligjit të adoptimit duan shitjen e popullit rus". Katerina Lakhova, nga Partia Rusia e Bashkuar përsërit se agjencitë, që u patën ndërmjetësuar adoptimet prindërve amerikanë në SHBA, kanë qenë të orientuara nga fitimi i shpejtë. "Tani ato financojnë protestën kundër ligjit."

"Ky aksion bëhet me mbështetjen e biznesmenëve amerikanë, sepse agjencitë që kanë punuar brenda Rusisë në fakt janë marrë me tregti fëmijësh. Me këtë i kanë arritur ato fitimet e tyre," thotë Lakhova.

Kjo ishte e para demonstratë e kritikëve të regjimit këtë vit. Në bazë të të dhënave të autoriteteve, rreth 4.000 policë u angazhuan për ta mbajtur nën kontroll demonstratën.

Autor: Heide Rasche/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani