1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikët kërkojnë shpërnguljen e të gjitha ministrive në Berlin

Blagorodna Grigorova12 Nëntor 2007

Parlamenti, Këshilli Federal, zyra e Kancelarit dhe ajo e Presidentit gjenden vërtet në kryeqytet, në Berlin por ministritë dhe punonjësit e tyre janë shpërndarë mes Berlinit dhe Bonit.

https://p.dw.com/p/CAZf
Pamje nga BonitFotografi: presse

Në një farë mënyre Gjermania edhe pas rënies së murit dhe megjithë bashkimin nuk është një shtet "normal". Parlamenti, këshilli federal, zyra e kancelarit dhe ajo e presidentit gjenden vërtet në kryeqytetin Berlin por ministritë dhe punonjësit e tyre janë të shpërndarë mes Berlinit dhe të ashtuquajturit "qytetit federal" Bonit.

Kritikët kërkojnë shpërnguljen e të gjitha ministrive në Berlin.

I ashtuquajturi "fraksion i Bonn-it" kundërshton.

Intendanti i radios Deutsche Welle-s Erik Bettermann ftoi për të biseduar mbi këtë temë tre deputetë të Bundestagut në radion në Bonn. Cili është qëndrimi i federatës sot ndaj përgjegjësisë së saj ndaj Bonit dhe cila është e ardhmja e qytetit?

Pas ribashkimit Bonit nuk duhej të mbetej thjesht një qytet i vogël buzë Rinit. Shumë vetë e shihnin Bonin si simbol të një rifillimi demokratik pas Luftës së Dytë Botërore, të lidhjes me perëndimin dhe të federalizimit dhe mbronin me forcë vazhdimësinë e Bonit si seli të qeverisë. Por ata që mbështesnin Berlinin arritën të triumfonin: me një rezultat të ngushtë 338 vota pro kundër 320 votave kundër pas një debati të ashpër në parlament në 20 qershor 1991.

Berlini fitoi statusin e selisë së ardhshme të qeverisë

Sot gjashtë ministri të federatës vazhdojnë të jenë në qytetin buzë Rinit ndërsa tetë të tjerat kanë në Bonn një seli të dytë. Më shumë se gjysma e rreth 20.000 zyrtarëve qeveritarë punojnë në Bon dhe jo në Berlin. Kjo është e përcaktuar në ligjin Bon -Berlin të vitit 1994. Këtë rregull shumë kritikë e cilësojnë anakronizëm. Struktura e dyfishtë vështirëson efektivitetin e punës së ministrve është e kushtueshme argumentojnë zërat kritikë. Ata angazhohen për një shpërngulje të plotë të qeverisë në Berlin.

Për këtë do të ishte e nevojshme të ndryshohej ligji Bon - Berlin

Otto Fricke nga partia liberale FDP dhe kryetar i komisionit të Bundestagut për buxhetin u shpreh gjatë diskutimit në Deutsche Welle: "Pyetja themelore ka të bëjë me ndryshimin e ligjit. Këtu duhet thënë fare qartë se në këtë periudhë legjislative nuk ka të ngjarë të ketë ndrysim të ligjit. Por kjo nuk do të thotë që ligji nuk do të ndryshojë."

Trysnia e opinionit publik për ndryshimin e ligjit është në rritje

Në pranverë në dy ekspertiza u konstatua se revizioni i ligjit Bon-Berlin ka përpara vetëm pengesa politike dhe të tilla pengesa dihet se mund të eliminohen nëse egzistojnë shumicat përkatëse. Por argumentet politikë për ruajtjen dhe nxitjen e Bonit si qendër e qeverisë janë gjithashtu me peshë. Ato kanë luajtur rol qysh në miratimin e ligjin Bon-Berlin. Steffen Kampeter, zëdhënës i politikës së buxhetit të grupit parlamentar të CDU/CSU-së rikujton debatet parlamentare në fillim të viteve '90: "Atëherë thamë se ne jemi të interesuar për "Bonin federal". Ky ishte një mohim i centralizimit. Bonn është një pjesë e mirë e Gjermanisë dhe një simbol për zhvillimet e suksesshme, demokratike të përjetuara në Republikën Federale gjermane."

Edhe një arsye tjetër për mbetjen e institucioneve qeveritare në Bon

Shumë vetë druheshin se shpërngulja e mijëra funksionarëve dhe nëpunësve të qeverisë do të thoshte dhe rrënimi ekonomik e politik i qytetit. Për këtë arsye federata u angazhua të shpërblente në mënyrë të përshtatshme Bonn-in për humbjen. Ulrich Kelber, zv/kryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestag:

"Ajo çfarë nënvleftsojnë shumë vetë është që ato pjesë të ministrive që kanë mbetur në Bon janë pjesë e identitetit tonë të ri. Ato kanë qenë të lidhura me shtyllat politike dhe fushat më të rëndësishme që ishin vendimtare për zhvillimin e qytetit të Bonit. Institucione të ndryshme dhe kampusi i Kombeve të Bashkuara janë vendosur në Bon jo vetëm sepse kështu kanë mundësi të mira për kongrese, por sepse iu garantua që bashkëbiseduesit për punën e tyre të përditshme gjendeshin në ministritë në Bonn."

Megjithatë përkrahësit e Bonit si një seli e dytë e ekzekutivit duhet të jenë të përgatitur që të dëgjojnë edhe në të ardhmen kërkesat për shpërngulje të plotë në Berlin. Për këtë arsye ata duhet të përpiqen të hedhin poshtë argumentet e atyre që e konsiderojnë gjendjen aktuale një shpërdorim të kotë burimesh. Steffen Kampeter, zëdhënësi për buxhetin i grupit parlamentar kristiandemokrat-kristiansocial: "Unë besoj se ka mundësi për t'a bërë më eficiente ndarjen e punës mes Bonit dhe Berlinit. Nëse këto mundësi nuk vihen në jetë siç duhet gjatë kësaj periudhe legjislative ju garantoj se simpatia për Bonin si seli e ekzekutivit do të zbehet dhe zgjidhja në periudhën e ardhshme legjislative do të jetë më radikale."