1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndaj dhunës së policisë në Turqi

Eliana Xhani (rtr, dpa)3 Qershor 2013

Turqia nuk po gjen qetësi. Edhe në natën e së hënës (3.6.) mijëra vetë protestuan në rrugë kundër qeverisë konservatore të kryeministrit Erdogan. BE dhe SHBA kritikuan dhunën e forcave të sigurisë mbi demonstruesit.

https://p.dw.com/p/18ine
Fotografi: Reuters

Bashkimi Evropian ka kritikuar mënyrën e reagimit të policisë turke ndaj demonstruesve. E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton foli të dielën në mbrëmje (3.6.) në një deklaratë për "përdorim dhune të tepruar nga pjesëtarë të policisë turke". Përballë numrit të madh të të lënduarve në protesta kryediplomatja e BE-së shprehu shqetësim të thellë. Në të njëjtën kohë Ashton bëri thirrje për zgjidhje paqësore të konfliktit. Të gjitha palët duhet të përpiqen të vetëpërmbahen dhe të kërkojnë dialogun.

Me nota të ngjashme kritike u shpreh edhe një zëdhënëse e qeverisë amerikane. Demonstruesit paqësorë janë shprehje e formimit të mendimi në një demokraci, për këtë arsye SHBA pret vetëpërmbajtja nga forcat turke të sigurisë, tha zëdhënësja. Të dyja palët duhet të angazhohen për qetësimin e situatës dhe të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Në protestat kundër qeverisë turke të dielën (2.6.) në mbrëmje pati sërish përleshje mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Në Stamboll forcat e sigurisë bllokuan rrugët përreth zyrës së kryeministrit Erdogan dhe përdorën gaz lotsjellës. Në Ankara policia hyri me forcë në një qendër tregtare, ku ishin strehuar për mbrojtje shumë demonstrues.

Protesta edhe në Izmir
Protesta edhe në IzmirFotografi: Reuters

Protestat në Turqi nisën një javë më parë me mitingje kundër ndërtimit të një qendre tregtare në sheshin Taksim në zemër të Stambollit. Demonstrimet fillimisht paqësore u zgjeruan të premten (31.5.) në një protestë qytetare kundër stilit autoritar qeverisës të Erdoganit. Në përleshje me policinë në Stamboll u lënduan më shumë se 1000 vetë, në Ankara disa qindra. Edhe të dielën (2.6.) protestat vazhduan. Demonstruesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.

Erdogan akuzoi opozitën se ka nxitur protestat kundër qeverisë së tij. Demonstrimet nuk kanë të bëjnë me rikonstruksionin e sheshit Taksim, tha kryeministri turk të dielën (2.6.) në mbrëmje në televizionin turk. Një anëtar i partisë më të madhe opozitare në Turqi, CHP, i hodhi menjëherë poshtë akuzat.

Në shenjë solidariteti me demonstruesit në Turqi, edhe në Gjermani dolën në rrugë disa mijëra vetë. Në Frankfurt rreth 3500 vetë demonstruan paqësisht kundër dhunës policore në Turqi. Në Berlin rreth 600 vetë protestuan përpara ambasadës turke.