1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikohet studimi

3 Mars 2012

Sipas studimit të Ministrisë së Brendshme, rreth 24 % e myslimanëve që jetojnë në Gjermani nuk duan të integrohen. Ata jetojnë sipas traditave konservatore. Por studimi ka shkaktuar reagime të ashpra.

https://p.dw.com/p/14Dq1
Të rinja para xhamie
Rinia myslimane dhe integrimitFotografi: picture-alliance/dpa

Para prezantimit të enjten (01.03.2012) të studimit për integrimin e myslimanëve në Gjermani, disa të dhëna janë bërë publike në gazetën bulevardeske "Bild". Rreth 24 % e msylimanëve të moshës 14 - 32 vjeç, të cilët nuk kanë nënshtetësi gjermane, mund të trajtohen si "fetarë konservatorë, me përkushtime antiperëndimore, që pranojnë përdorimin e dhunës dhe që refuzojnë integrimin", thuhet në këtë studim. Në këtë dokument thuhet se përqidja e myslimanëve me nënshtetësi gjermane, me këto karakteristika, është shumë më e ulët (15%).

Hans-Peter Friedrich
Hans-Peter Friedrich: u befasuam me përqindjen e lartë!Fotografi: dapd

Ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich pohon: "Shikuar nga tendenca, ishte e qartë se një përqindje e myslimanëve ka përcaktime të tilla. Por këto të dhëna prej 24 % janë befasisht tepër të larta."

Tendencat e radikalizimit të mylismanëve

Shkaqet e tendencës së radikalizimit të myslimanëve të rinj në Gjermani, sipas këtij studimi, gjenden në "fenë tradicionale" të familjeve të ardhura në Gjermani nga vendet me "qëndrime autoritare", apo tek përsonat që kanë përjetuar "diskriminime".

Studimi i shkencëtarëve nga tri universitete të Gjermanisë si dhe një instituti privat  përfshinë më shumë se 700 të rinj pa pasaporta gjermane. Këtu janë analizuar edhe 692 raporte televizive dhe edicione informative.

Menjëherë pas bërjes publike të këtyre të dhënave,  ministri Friedrich u detyrua të deklarohet: "Mendoj se konkluldimi nga ky studim është që myslimanët nuk mund të renditen në një grup, por ka grupe të ndryshme që janë shumë heterogjene."

Pa dyshime të përgjithësuara

I pyetur për gatishmërinë e myslimanëve për dhunë, ministri i Brendshëm Friedrich u përgjigj: "Natyrisht që ka të rinj myslimanë që kanë përshtypjen se feja islame në përgjithësi konsiderohet si e dyshimtë."

Ministri pohon se shoqëria dhe institucionet duhet të punojnë për çrrënjosjen e kësaj bindjeje, sepse nuk është në rregull që të dyshohet të gjithë myslimanët.

"Besoj se një dyshim i përgjithshëm nuk ekziston. Por ata subjektivisht e ndiejnë këtë dyshim të përgjithshëm. Mendoj se duhet të punojmë për eliminimin e kësaj bindjeje", theksoi Friedrich.

Sipas tij, studimi i fundit dëshmon edhe përkushtimin e drejtë të qeverisë dhe institucioneve për një integrim sa më të mirë të njerëzve në shoqërinë gjermane. Gjermania respekton prejardhjen, vlerat kulturore dhe identitetin e njerëzve me prejardhje të huaj. Por ministri thotë se ajo nuk pranon importimin e vlerave autoritare, antidemokratike dhe fanatizmin fetar.

Serkan Tören
Serkan Tören: Studimi është tendencioz!Fotografi: FDP

Myslimanët hedhin poshtë terrorizmin

Nga ky studim nuk duhet nxjerrë vetëm pjesë por duhet shikuar tërësinë. "Myslimanët në Gjermani e refuzojnë terrorizmin", pohon ministri Friedrich.

Kritikat më të mëdha ndaj studimit janë dëgjuar nga liberalët në koalicionin qeveritar. Zëdhënësi i liberalëve për integrim, Serkan Tören thotë se Ministria e Brendshme po shpenzon paratë e taksapaguesve për të financuar një studim, vetëm për të prodhur tituj në gazeta dhe jo për të nxjerrë mësime.

"Mendoj se përcaktimi fetar matet këtu ndonjë herë me qëllimet e studimit dhe varet nga pyetjet që i shtron. Në këtë mënyrë merr përgjigjet që do dhe jo informacionet e duhura", pohon ai.

Këtë studim e ka kritikuar edhe opozita. Zëvendëskryetari i socialdemokratëve Aydan Özuguz thotë se më mirë do të ishte të shikohet se pse "të rinjtë e ndiejnë veten kështu" dhe jo të nxirren konkluzione të përshpejtuara. Kritika ka pasur edhe nga qarqet shkencore, sepse studimet me 700 pjesëmarrës nuk mund të japin rezultate objektive.

Pamje nga lutja myslimane
Varet se si i shikon...Fotografi: picture-alliance/dpa

Zëdhënësi i ekologjistëve për çështjet e integrimit Mehmet Kılıç, pohon: "Kur i pyet të rinjtë në mënyrë provokative a doni të integroheni apo jo? dhe atë me një ton të caktuar, atëherë është shumë e mundshme që të mirrni përgjigjen 'Jo, nuk duam të integrohemi."

Shansat dhe mungesa e perspektivës

Sipas tij, nuk janë problem feja dhe prejardhja e njerëzve, mungesa e shansave dhe mungesa e perspektivës për këta të rinj. Arsimimi i mirë dhe puna me të rinjët paraqesin masat më të mira preventive, pohon politikani i partisë ekologjiste, duke shtuar se "mangësitë në punën me të rinjtë me prejardhje të huaj dhe mangësitë në arsimimin e tyre, duhet të eliminohen një herë e përgjithmonë".

Me rezultatet e këtij studimi nuk është e bindur as mësuesja me prejardhje turke Betül Durmaz. Ajo thotë se rezultatet mund të fitohen edhe qëllimisht. Në qoftë se studimin e bën në një zonë problematike, athëherë me siguri që rezistenca ndaj integrimit do të jetë më e lartë.

Në Gjermani jetojnë rreth katër milionë njerëz që deklarohen si myslimanë. Gati gjysma e tyre kanë nënshtetësinë gjermane.

Autor: Sabine Ripperger/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama