1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndaj thirrjes për më shumë punonjës të kualifikuar nga jashtë

2 Gusht 2010

Ministri gjerman i Ekonomisë Brüderle planifikon një iniciativë për tërheqjen në Gjermani të punonjësve të kualifikuar. Por shefi i Zyrës Federale të Punës thekson se duhen shfrytëzuar potencialet brenda vendit.

https://p.dw.com/p/OYuk
Zyra Federale e Punës kërkon të shfrytëzohen talentet vendase.
Zyra Federale e Punës kërkon të shfrytëzohen talentet vendase.Fotografi: AP

Shefi i Agjencisë Federale për Punën, Frank Jürgen Weise, i kritikoi kërkesat për të bërë më të kalueshëm kufijtë për punëmarrësit nga vendet e tjera. Fillimisht duhet të shfrytëzohet potenciali ekzistues në Gjermani, i tha Weise gazetës "Financial Times Deutschland". Nuk duhet lejuar që njerëzit të jenë të papunë vetëm sepse nuk shfrytëzohen talentet e tyre, tha ai. Weise u bëri thirrje sipërmarrjeve gjermane që t'i kundërvihen mungesës së forcave të specializuara me oferta tërheqëse brenda vendit.

Më parë ministri gjerman i Ekonomisë Rainer Brüderle kishte deklaruar se po angazhohet në qeverinë gjermane për tërheqjen në vend të punonjësve të huaj të kualifikuar. "Tema, si të bëhet Gjermania më në fund më tërheqëse për punonjësit e huaj, është në krye të axhendës sime", tha Brüderle për numrin e së premtes (30.7.) të gazetës "Handelsblatt".

Për këtë sipas ministrit të Ekonomisë mund të ulet për shembull kufiri minimal i të ardhurave, kusht ky që përcakton nëse një i huaj mund të marrë leje afatgjatë qëndrimi në Gjermani. Deri tani aplikantët duhet të paraqesin një kontratë pune me të ardhura vjetore prej 60.000 eurosh, për të marrë lejen e qëndrimit. Nga ana tjetër politikani liberale Brüderle propozon edhe një lloj "shpërblimi mirëseardhjeje" që ekonomia gjermane mund ta paguante për punonjësit e huaj të kualifikuar.

"Është e mundur që disa sipërmarrje, të cilat kanë mundësitë financiare dhe nevojë urgjente për punonjës të huaj të kualifikuar të paguajnë një lloj shpërblimi për joshjen e këtyre punonjësve", tha Brüderle. Ai përjashtoi megjithatë mundësinë që një shpërblim i tillë të paguhet nga paratë e taksapaguesve.

Mungesa e punonjësve të kualifikuar, problemi thelbësor

Diskussion um Fachkräftemangel
Në kërkim të punonjësve të kualifikuarFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri Brüderle mendon se mungesa e punonjësve të kualifikuar do të kthehet në një "problem kyç" në të ardhmen për tregun gjerman të punës, madje më shqetësues se papunësia. Me tre milionë të papunë problemi nuk është aq emergjent. Por ministri theksoi se "sa më gjatë të vazhdojë periudha e rritjes ekonomike që po përjeton aktualisht Gjermania, aq më serioz do të bëhet problemi".

Edhe ministrja gjermane e Arsimit dhe Shkencës Annette Schavan.
Edhe ministrja gjermane e Arsimit dhe Shkencës Annette Schavan thekson nevojën e tërheqjes së punonjësve të kualifikuar nga jashtë.Fotografi: AP

Edhe ministrja gjermane e Arsimit Annette Schavan (CDU) kërkoi pak ditë më parë më shumë përpjekje për tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga jashtë.

Për muajt e ardhshëm ministri i Ekonomisë planifikon një iniciativë për punonjësit e kualifikuar. "Unë kërkoj të hartoj një koncept të përgjithshëm, me të cilin të tërhiqen në Gjermani punonjës të kualifikuar nga vendet e tjera."

Edhe shoqatat e ekonomisë dhe studiuesit e ekonomisë do të përfshihen në iniciativë. Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial dhe liberalët e FDP-së kanë rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit për riorganizimin e rregullave të hyrjes në tregun e punës për të huajt.

Në marrëveshje përcaktohet: "hyrja e punonjësve të huaj shumë të kualifikuar dhe e fuqisë punëtore të specializuar në tregun gjerman të punës duhet t'i përshtatet sistematikisht nevojave të tregut gjerman të punës dhe të rregullohet nga kritere koherente, të qarta, transparente dhe të ponderuara, si p.sh. nevoja e tregut, kualifikimi dhe aftësia për t'u integruar."

Brüderle konsideron të mundur punësimin e plotë

Ministri gjerman i Ekonomisë Rainer Brüderle.
Ministri gjerman i Ekonomisë Rainer Brüderle.Fotografi: AP

Në lidhje me papunësinë në Gjermani Brüderle u shpreh me tone optimiste: "Numri i të papunëve së shpejti mund të bjerë nën tri milionë dhe numri i punonjësve me orar të shkurtër nën kufirin prej 100.000."

Përballë zhvillimeve pozitive është i mundur edhe një rekord historik i ulët i papunësisë. Lidhur me këtë ministri i Ekonomisë u shpreh: "Nëse tendenca vazhdon dhe për këtë flasin disa tregues, e konsideroj të mundshme në periudhë afatsmesme një kuotë papunësie prej 4% . Në disa rajone të Gjermanisë kemi arritur madje punësim të plotë."

Për punësim të plotë flitet kur kuota e papunësisë bie nën 4% të popullsisë së aftë për punë.

Autor: dpa, afp, apn/ xhani

Redaktoi: Aida Cama