1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika pas vizitës së ministrit Friedrich në SHBA

Klaus Jansen / Eliana Xhani15 Korrik 2013

Shërbimet sekrete të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe duket se mbledhin në mënyrë masive të dhëna rreth Gjermanisë. Vizita e ministrit të Brendshëm gjerman Friedrichs nuk ndryshoi asgjë në këtë situatë.

https://p.dw.com/p/197XU
Fotografi: Reuters

„Katastrofë“, „dështim i plotë“, „vrimë në ujë“: partitë opozitare në Gjermani e akuzojnë ministrin e Brendshëm Hans-Peter Friedrich se nga vizita e tij në Uashington, nuk ka sjellë asnjë përgjigje për skandalin e përgjimeve. Këtë e pat premtuar ministri në prag të vizitës së tij të shkurtër. Friedrich gjatë vizitës ka folur ndër të tjera me zv/presidentin Joe Biden dhe ministrin e Drejtësisë Eric Holder, për përgjimet nga shërbimi i fshehtë i SHBA-së, NSA. Eksperti i të gjelbërve gjermanë për çështje të sigurisë Konstantin von Notz, në intervistë me DW, e quajti takimin e Friedrich me politikanët amerikanë një masë placebo: „Një përpjekje mashtruese për të treguar se po bëhet diçka.“

Vizita në SHBA nuk ka sjellë rezultat, përkundrazi, thotë edhe eskpertja për internetin, Constanze Kurz nga Chaos Computer Club (CCC). Pas qendrimit në Uashington Friedrich deklaroi se nuk bëhet fjalë për skanim masiv të të dhënave, gjithçka bëhet me përcaktim të qartë. „Kjo është natyrisht një budallepsje e popullit“, thotë Kurz në bisedë me DW. Zbulimet e javëve të fundit kanë treguar pikërisht të kundërtën.

Notz: Qeveria gjermane nuk e kupton për çfarë bëhet fjalë

Politikani i gjelbër von Notz ngre pyetjen nëse Kancelarja Angela Merkel duhet të merret personalisht me çështjen. Por ajo nuk e do këtë, thotë politikani i gjelbër: „Zonja Merkel përpiqet të vendosë një vijë ndarëse mes vetes dhe kësaj historie. Por nuk do t'ia dalë dot deri në 22 shtator.“ Në këtë datë mbahen në Gjermani zgjedhjet parlamentare, fushata elektorale tashmë është hapur dhe skandali i përgjimit duket se është një nga temat kryesore. Tani e kanë radhën partitë opozitare të bëjnë propozime konkrete, thotë Constanze Kurz.

Von Notz është i bindur se qeveria gjermane ende nuk e ka kuptuar për çfarë bëhet fjalë. Theksohet vazhdimisht vetëm se delegacionet gjermane ndoshta janë përgjuar me aparate përgjimi. Por thelbi është se është komunikacioni i 80 milionë njerëzve në Gjermani, që survejohet plotësisht.

"Gjermanisë po i tregohen përralla për sigurinë "

Eskpertja e CCC, Constanze Kurz, ka mbetur shumë e habitur nga përpjekjet e Friedrich-it për qetësim në televizion. Ajo paralajmëron me urgjencë ndaj rrezikut të zhvendosjes së pushtetit mes qeverive, si pasojë e skandalit me përgjimin e të dhënave. „Ajo që përftohet nga të dhënat dhe informacionet është pushtet.“ Qeveria gjermane pra me çdo e-mail të përgjuar, me çdo paketë të dhënash të lexuar nga të tjerë, humbet pushtet. Për këtë arsye Kurz nuk e kupton përse qeveria vazhdon të sillet sikur SHBA dhe Britania e Madhe janë edhe më tej partnerë dhe miq të Gjermanisë. „Nga publikimet duket qartë se ne jemi objektivi i sulmeve."

Gjermania sipas Constanze Kurz po lejon t'i tregohen përralla me „llafe bosh për sigurinë“, atentate me gjasë të shmangura falë informacioneve të grumbulluara nga programet e përgjimit. Sipas saj shërbimet e fshehta lëvizin në një hapësirë pa ligje dhe mund të bëjnë çfarë të duan.

Kërkohen fjalë të qarta nga Merkeli

Kritikët dhe partitë opozitare në Gjermani kërkojnë një qendrim më të ashpër në bisedimet me SHBA-në, por edhe me Britaninë e Madhe, programi i përgjimeve të së cilës duket madje edhe më i gjerë se programi Prism i NSA-së.

Konstantin von Notz, eksperti i të gjelbërve për sigurinë, kërkon fjalë të qarta nga Angela Merkel, të cilat duhet të pasohen edhe nga vepra. „Mund të ndalohet përcjellja SHBA-së e të dhënave të pasagjerëve në fluturimeve ose edhe marrëveshja SWIFT për kontrollin e lëvizjes së parave.“ Kështu bëhen të mundura bisedime serioze, nëse kjo dëshirohet.