1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë në koalicionin qeverisës në Maqedoni

Fatos Musliu / Shkup28 Gusht 2012

Ligji për statusin e ish-pjesëtarëve të forcave të sigurisë ka vënë në krizë koalicioni qeveritar në Maqedoni. Projektligji nuk parasheh përfitime edhe për ish pjesëtarët e UÇK-s dhe familjeve të tyre.

https://p.dw.com/p/15xpw
Selia e qeverisë maqedonase në Shkup
Fotografi: DW

Projektligji i hartuar nga VMRO-DPMNE për rregullimin e statusit të ish pjesëtarëve të forcave të sigurimit që pësuan në konfliktin e vitit 2001, ka lëkundur dukshëm koalicionin qeveritar në Maqedoni. Partneri shqiptar në koalicion BDI, nuk mbështet këtë ligj pasi me të përjashtohen nga përfitimet pjesëtarët e grupeve të armatosura shqiptare. BDI paralajmëron se nëse në parlament kalon ligji i propozuar, atëherë do të shqyrtohet mundësia e daljes nga qeveria. Kryeministri Nikolla Gruevski pranon se koalicioni qeverisës është në krizë. Takimet e mbajtura kokë më kokë midis kryetarit të VMRO-së Nikolla Gruevski dhe BDI-së Ali Ahmeti, nuk kanë dhënë rezultat pasi asnjë nga liderët nuk lëviz nga qëndrimi i tij.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti
Kryetari i BDI-së Ali AhmetiFotografi: DW

“Ky ligj si i tillë është i papranueshëm, ai ose duhet të ndryshohet në aspekt të përfshirjes së të drejtave dhe privilegjeve edhe për UÇK-në ose të tërhiqet si i tille”, shprehet zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Zgjedhjet e parakahoshme si mundësi për zgjidhjen e krizës?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë epilog i mundshëm por jo edhe i domosdoshëm i krizës së brendshme të partnerëve të koalicionit qeveritar, vlerësojnë analistët. Për Ismet Ramadanin, qeveria aktuale nuk mund të vazhdojë të funksionojë më, meqë deklaratat e kryeministrit ishin mjaft kërcënuese.

“E vetmja rrugë dhe e vetmja mundësi që Maqedonia të merrë rrugën e progresit, rrugën e një ardhmërie më të mirë janë zgjedhjet e parakohshme dhe një kompozicion krejt tjetër në qeveri”.

Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare nuk do të ishin në interes të partisë shqiptare në qeveri, BDI, thotë analisti Vlladimir Bozhinovski. Sipas tij sondazhet aktuale për përkrahjen ndaj partive në pushtet tregon se ato sërisht do të fitojnë.

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski
Kryeministri maqedonas Nikola GruevskiFotografi: AP

“Nëse BDI planifikon të jetë në qeveri do të duhej të bënte koalicion sërish me partnerin me të cilin krijoi krizën. Kështu VMRO do të kishte legjitimitet politik që do t'i lejonte të bëjë koalicion me çdo parti tjetër shqiptare”, shprehet Bozhinovski.

"Zgjedhjet e parakohshme mund të dëmtojnë raportet ndëretnike!"

Sipas analistit Nazmi Maliqi, mbajtja eventuale e zgjedhjeve parlamentare mund të shkojë në dëm edhe të marrëdhënieve ndëretnike sepse po përgatitet terreni që loja e kundërshtimit ndëretnik të kthehet në prioritet në retorikën parazgjedhore.

“Kjo lojë politike i ul vlerat e një demokracie të konsoliduar në shtet, sepse edhe shqiptarët edhe maqedonasit kanë nevojë t'i shohin elitat politike të konkurojnë me programe më të qarta. Kush i pengon partitë në pushtet që të mos korigjohen tash dhe pse ka nevojë për zgjedhje kur ata kanë shumicën parlamentare?"

Shpëtimi i koalicionit qeveritar dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sipas analistëve mund të ndodhë vetëm nëse projektligji tërhiqet nga proceduara parlamentare.