1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

fnnland und deutschland zu greichenlandkrise

14 Shtator 2011

Eurozona ndodhet në udhëkryq. Ende nuk dihet, i përmbush Greqia kushtet për këstin tjetër të ndihmës? Ndërkohë një paketë e re shpëtimi është urgjente. Merkel takohet për këtë me kryeministrin finlandez, Jyrki Katainen.

https://p.dw.com/p/12Ycd
Angela Merkel (CDU)
Angela Merkel (CDU)Fotografi: picture-alliance/dpa

Jo vetëm euroskeptikët ngrenë zërin momentalisht kundët Greqisë dhe euros. Finlanda kërkon garanci ekstra dhe ka shkaktuar zemërim tek vendet e tjera të eurozonës. Kryeministri finlandez Jyrki Katainen u takua të martën me kancelaren Merkel në Berlin.

Masa të përbashkëta të rrepta

Në fakt bën pjesë në ritualin politik: Mikpritësja dhe miku i ardhur zënë fillimisht në gojë të përbashkëtat. Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri finlandez Jyrki Katainen pohuan se në çështjen e krizës ata kanë një qëndrim të përbashkët. Të dy kërkuan procedim më të ashpër kundrejt mëkatarëve në eurozonë. Vendet e eurozonës, tha Jyrki Katainen duhet të kontrollohen më shpesh. "Kemi nevojë për më shumë masa të përbashkëta të rrepta me qëllim që të përmirësojmë aftësinë tonë konkurruese. Këtu bën pjesë një mbikqyrje e dyanshme, por edhe rregulla të reja për euron, të cilat mundësojnë edhe sanksionet, kur një vend shkel rregullisht rregulloret e përbashkëta apo nuk i arrin qëllimet."

Kryeministri finlandez Jyrki Katainen
Kryeministri finlandez Jyrki KatainenFotografi: AP

Finlanda merr garanci ekstra - eurozona e pakënaqur

Por vetëm kur gazetarët shtruan pyetjet e tyre për të dy kryetarët e qeverive, u përmend tema më delikate. Pakënaqësia në eurozonë për garancitë ekstra që ka negociuar Finlanda për kontributin e saj në fondin e ndihmës 109 miliardë euro të rëndë për shpëtimin e monedhës së përbashkët. Kjo ka zemëruar vendet e tjera të euros. Sepse në kredon e eurogrupit është: Në rast krize bashkohemi të gjithë. Po ashtu si Franca, edhe Gjermania e sheh me sy kritik veprimin e veçuar të Finlandës. Në deklaratat e saj, Merkel bën të qartë se vendimet mbi ombrellën e shpëtimit mundësojnë marrëveshje të tilla të veçuara. "Mendoj se ne duam të gjejmë një rrugë dhe do ta gjejmë, atë rrugë që parimisht nuk i përjashton partnerët, dhe që megjithatë i përmbush nevojat finlandeze. Për këtë po punojnë ekspertët në moment. Unë jam shumë optimiste, që kjo është e mundur."

Euro, Euroskeptikët dhe grekokritikët

Ajo që kërkohet është një formulë kompromisi. Pasi edhe Holanda dhe Austria kërkojnë garanci ekstra pas kërkesës finlandeze. Vendet e euros duan ta mënjanojnë grindjen për këtë, sepse ato shpresojnë që me një fond shtesë shpëtimi të arrijnë të zgjidhin krizën e borxheve. Angela Merkel dhe homologu finlandez kanë një gjë të përbashkët. Të dy kanë probleme me euroskeptikët në vendet e veta. Jyrki Katainen përjetoi në vendin e tij se si fituan terren populistët e djathtë me parulla kundër euros.

Bursat marrin të tatëpjetën pas njoftimeve për falimentim të Greqisë
Bursat marrin të tatëpjetën pas njoftimeve për falimentim të GreqisëFotografi: dapd

Angela Merkel i ka kundërshtarët brenda radhëve të veta. Konferenca e përbashkët për shtyp ishte një rast i mirë për Merkelin t'i tregonte vendin zëvendësit të saj, Philipp Röslerit nga partia liberale. Ministri i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari ka kërkuar një falimentim të kontrolluar të Greqisë.

Kërkohet maturi

Euro nuk stabilizohet me një masë të vetme, tha Merkel. Çdo hap do menduar mirë. "Duhet të kemi parasysh se çdo gjë që bëjmë duhet ta bëjmë me maturi. T'i dimë edhe pasojat e saj. Kjo sepse në eurozonë mund të ndizet shumë shpejt një situatë që askush nga ne nuk e do, dhe që mund të ketë pasoja të rrezikshme, ne po punojmë këtu në një terren të ri. " Më parë Merkel kishte bërë të ditur, se një falimentim i kontrolluar i Greqisë mund të shtrohet si temë vetëm në vitin 2013. Nga ana tjetër marrëveshjet aktuale nuk parashohin një falimentim shtetëror. Komisioni Evropian dhe Franca nuk e mbështesin falimentimin e Greqisë.

Autor: Doris Krannich/Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora