1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Gipfel

9 Dhjetor 2011

Eurogrupi dhe gjashtë vende të tjera të BE-së përmes një marrëveshje të re duan më shumë disiplinë buxhetore. Britania e Madhe gjendet në masë të madhe e izoluar.

https://p.dw.com/p/13PHJ
Kancelarja Merkel dhe presidenti francez Sarkozy
Kancelarja Merkel dhe presidenti francez Sarkozy në samitin e BE-së për euronFotografi: AP

Në samitin e BE-së në Bruksel, Gjermania dhe Franca arritën të triumfojnë me kërkesat e tyre më të rëndësishme, por një ndryshim i marrëveshjeve të BE-së për të gjitha vendet anëtare për momentin nuk është i mundur.

Tani 17 vendet e Eurozonës dhe gjashtë shtete të tjera do të lidhin një marrëveshje të veçantë. Kryetarët e shteteve dhe qeverive miratuan të premten në mëngjes (9.12.) vendosjen e një frene për borxhet dhe sanksione thuajse automatike ndaj mëkatarëve të buxhetit. Kjo ishte dhe kërkesa thuajse kategorike e kancelares Merkel dhe presidentit francez Nicolas Sarkozy.

Fjalë të qarta nga presidenti francez Sarkozy
Fjalë të qarta nga presidenti francez SarkozyFotografi: dapd

Fondi afatgjatë i shpëtimit EMS do të jetë gati që verën e ardhshme, pra më parë nga sa ishte planifikuar. Vendet e BE-së do t'i japin gjithashtu 200 miliardë euro kredi FMN-së, që ky t'u vijë në ndihmë vendeve në krizë financiare. Ndërsa për obligacionet e përbashkëta evropiane, njëherë për njëherë nuk flitet më. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për kancelaren gjermane Merkel.

Avantazhi është shpejtësia

Si "zgjidhje më e pastër" konsiderohej një ndryshim i marrëveshjeve të BE-së. Në një rast të tillë, do të ishin të përfshira të 27 vendet anëtare dhe institucionet e BE-së. Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso, i cili e kishte mbështetur shumë këtë zgjidhje, u shpreh megjithatë me tone pozitive të premten në mëngjes (9.12.): "Sigurisht ne do të kishim preferuar një marrëveshje mes gjithë vendeve anëtare. Por kjo nuk ishte e mundur. Për këtë arsye besoj se alternativa e vetme ishte kjo marrëveshje ndërshtetërore". Ndryshimi i marrëveshjes së BE-së do të kërkonte megjithatë një proces të gjatë ratifikimi dhe në disa vende referendume popullore me rezultate të paparashikueshme.

Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy sheh madje avantazhe në zgjidhjen e gjetur tani: "Për një marrëveshje ndërshtetërore miratimi dhe ratifikimi arrihen shumë më shpejt. Dhe unë besoj se shpejtësia është shumë e rëndësishme për të forcuar besueshmërinë."

Sarkozy ankohet për Cameron

Shkaku përse u hoq njëherë për njëherë dorë nga ndryshimi i marrëveshjes së BE-së ka para së gjithash një emër: David Cameron. Kryeministri britanik kishte kërkuar një mbrojtje të veçantë për sektorin financiar britanik, për shembull përjashtime nga rregullat për mbikqyrjen apo nga taksa e planifikuar për transaksionet financiare. Por Merkel dhe Sarkozy nuk pranuan të tilla dëshira të veçanta.

Cameron nuk pranon kritikën
Cameron nuk pranon kritikënFotografi: dapd

Sarkozy u shpreh se thjesht nuk mund ta kuptojë pozicionin e qeverisë britanike, për t'i qendruar larg euros: "Nuk është e mundur që nga njëra anë të kërkosh klauzola përjashtuese, për të mos marrë pjesë në unionin monetar dhe nga ana tjetër, të kërkosh të marrësh pjesë në të gjitha vendimet për euron."

Cameron: "Nuk do të marrim kurrë pjesë në euro!"

Thuhet se presidenti francez Sarkozy është shprehur me fjalë shumë më të ashpra ndaj Cameron në një tjetër takim. Fakti që britanikët duan të mbeten jashtë euros, krijon atmosferë mjaft të pakëndshme. Vetë Cameron u shpreh me kokëfortësi para shtypit: "Ne nuk do të marrim kurrë pjesë në euro. Nuk do të heqim kurrë dorë nga sovraniteti, të cilin duhet të sakrifikojnë këto vende për të qenë pjesë e një unioni fiskal." Pavarësisht nëse Eurozona do të vërë apo jo në kontroll krizën, përçarja në BE do të ashpërsohet në çdo rast.

Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi