1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza financiare dhe masat për zbutjen e pasojave të saj

DW20 Shtator 2008

"Frankfurter Allgemeine Zeitung": Fajtorët e kësaj krize të dënohen dhe përfituesit neglizhentë të mbajnë mbi shpatulla humbjet.

https://p.dw.com/p/FLa8
Fotografi: BilderBox/DW

Kriza në tregjet ndërkombëtare është sot në qendër të komenteve në shtypin gjerman.


"Frankfurter Allgemeine Zeitung" kërkon dënimin e fajtorëve: "Kundërshtarët e kapitalizmit shohin të dëshmuar dështimin e tregut. Edhe në vetë rradhët e përkrahësve të ekonomisë së tregut shtohen dyshimet për të mirat e tregjeve. Përsa kohë në to fitimet janë individuale por humbjet socializohen, kjo nuk është e habitshme. Tërbimi i taksapaguesve është i madh dhe i kuptueshëm. Do të ishte e rëndësishme që fajtorët e kësaj krize të dënoheshin dhe përfituesit neglizhentë të mbajnë mbi shpatulla humbjet. Por kjo fatkeqësisht nuk do të ndodhë gjithmonë. Grykësia dhe frika duhet të rëndojnë sërisht në anët e peshores në të ardhmen. Nuk do të jetë e lehtë të gjehet ekuilibri i duhur mes mbikqyrjes së domosdoshme dhe rregullave radikale. Por një gjë pritet me siguri: koha e parasë së lirë ka marrë fund njëherë për njëherë."


"Münchner Merkur" komenton krizën bankare në SHBA dhe fajëson administratën Bush: "Njoftimi se bankave do t'u merren borxhet e këqija dhe pjesë të tëra të tregjeve financiare praktikisht do të shtetëzohen është një deklaratë falimentimi e qeverisë Bush. Ky është falimentimi i dytë. Në Irak fuqia perëndimore lider u dorëzua moralisht. Tani pason rrëfimi se kapitalizmi i egër i ushqyer nga Bush, në të cilin xhonglerët e financave u lejuan të mbushin xhepat pa pengesa në Wall Street, duke injoruar humbjet, e ka çuar botën në buzë të humnerës. Kushdo që t'a pasojë Bushin në post: ai do ta gjejë vendin të groposur nën një mal borxhesh përpara bombës së ardhshme me sahat."


Së fundi shkëpusim nga "Thüringer Allgemeine" e cila pyet se në llogaritë e kujt kanë shkuar paratë e humbura në tregjet e kapitalit. Citojmë: "Në Amerikë po shpërthen socializmi dhe Xhorxh Bush marshon në krye. Kush e kishte imagjinuar këtë? Fillimisht numri i çuditshëm me bonuset në dollarë për nxitjen e konsumit, tani shtetëzimi i sektorit financiar. A mos është pushtuar nga Bush nga djalli? Vetëm pak kohë më parë çdokush që mendonte t'i vinte kufij tregjeve cilësohej heretik. Para së gjithash të vjetrit e përjetshëm në Europën e vjetër. Zemër lepuj që nuk kuptonin asgjë nga prerja moderne e parave. Tani kjo situatë. E kur flasim për fitimet? Ku janë ato në të vërtetë? Pasi dikush ia ka hedhur tjetrit duke i shitur instrumenta financiarë pa vlerë. Tani vetëm një gjë ka mbetur: pas kësaj që po ndodh gjysma e Wall Street e ka vendin pas kangjellave të burgut."