1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Öl Spekulation

3 Shkurt 2011

Çmimi për naftën e papërpunuar nga Deti i Veriut është aktualisht më shumë se 100 dollarë për fuçi. Dhe tani trazirat në Egjipt dhe vendet e tjera arabe e ashpërsojnë situatën.

https://p.dw.com/p/109rJ
Fotografi: AP

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për drithë, metale, apo naftë: çmimet e lëndëve të para rriten e rriten. Ky shpërthim çmimesh mund të rrezikojë jo vetëm rritjen ekonomike, ai tërheq edhe spekuluesit dhe investuesit, të cilët me transaksionet e tyre e ashpërsojnë edhe më shumë rritjen e çmimeve. Vetëm gjatë vitit 2010 çmimet shënuan një rritje prej 31 për qind. Metale si zinku, bakri dhe plumbi u shtrenjtuan madje me më shumë se 41 për qind.

Çmimi i naftës ka kohë që shënon rritje

OPEC dreht an Ölhahn
Trazirat në vendet prodhuese të naftës ndikojnë mbi çmiminFotografi: AP

Klientët në pikat e furnizimit kanë kohë që e kanë ndier me dhimbje rritjen astronomike të çmimeve të karburantit që prej fillimit të janarit. Por tani çmimi për naftën e papërpunuar nga Deti i Veriut ka kapërcyer kufirin 100 dollarë për fuçi në tregjet me afat. Tregtarët bëjnë përgjegjese trazirat në Egjipt. Vendi afrikanoverior vërtet nuk është furnizues i rëndësishëm i naftës, por ai ka kontrollin mbi Kanalin e Suezit, përmes të cilit transportohet lënda e parë. Carsten Fritsch, ekspert për lëndët e para në bankën Commerzbank, shpjegon: „Para së gjithash frika se trazirat në Egjipt mund të paralizojë rrugët e transportit për naftën, kanalin e Suezit, apo përçuesit e naftës. Nga ana tjetër është frika se trazirat mund të kapërcejnë kufijtë dhe të përfshijnë edhe vende të tjera arabe në rajon, ndër të tjera vende prodhuese të naftës si Algjeria, apo Libia. Kjo do të kishte efekte të forta mbi ofertën e naftës."

Por në rritjen e çmimit të naftës nuk ndikon vetëm situata në Egjipt. Mesa duket edhe spekuluesit kanë gisht në këtë zhvillim: „Ata natyrisht marrin shkas nga situata dhe bëjnë që çmimi të rritet edhe më tej. Por një rol të rëndësishëm luan fakti që në treg aktualisht çmimi përmban një prim risku. Për këtë arsye nuk do ta mbiçmoja rolin e spekuluesve. “

A mos vallë tani kërcënon një krizë e re nafte?

OPEC Treffen in Wien Gebäude
Fotografi: AP

Nëse ekonomia botërore rimëkëmbet, atëherë bizneset do të kenë nevojë për më shumë naftë për prodhim dhe transport. „Kjo është e vërtetë: tendenca e rritjes së çmimeve ekzistonte edhe përpara zhvillimeve në Egjipt, çmimi ishte pranë kufirit prej 100 dollarësh për fuçi, pasi të dhënat e fundit nga ekonomia ishin më të mira. Kjo e ka nxitur optimizmin për ekonominë, tregjet e kapitalit kanë shënuar rritje, investuesit tregojnë më shumë gatishmëri për të pranuar riskun dhe me të edhe rritjen e çmimeve. Kjo e përforcon tendencën e rritjes së çmimeve."

„Rezervat e naftës në të gjithë botën janë të mëdha. OPEC disponon kapacitete të lira prodhimi. Për këtë arsye mendojmë se çmimi i referencës do të zbresë sërish nën kufirin 100 dollarë për fuçi", thotë specialisti i Commerzbank, Fritsch.

Aktualisht është e vështirë të parashikohet, nëse ky shpërthim çmimesh do të vazhdojë. Sidoqoftë dega e naftës po përjeton rritje, fitimet e koncerneve të energjisë janë shtuar.

Çfarë duhet të presin konsumatorët?

Mineralölverband: Umstellung auf neuen Biosprit dauert noch
Fotografi: picture alliance/dpa


Carsten Fritsch ka këtë përgjigje: „Pasoja direkte do të jetë shtrenjtimi i karburantit në pikat e furnizimit. Pra njerëzve do t'u duhet të paguajnë më shumë për benzinë dhe naftë dhe kështu do të kenë më pak para në dispozicion për shpenzime të tjera. Kjo do të thotë që do të kemi frenim të kërkesës së përgjithshme."

Në periudhë afatgjatë shtrenjtimi i naftës do të prekë edhe sipërmarrjet:

„Pyetja është nëse ato janë siguruar mjaftueshëm ndaj rritjes së çmimeve. Nëse kjo nuk është bërë do të kenë pasoja negative."

Dhe kjo mund të frenonte edhe rritjen ekonomike botërore.

Autor: Ulla Herrmann/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica