1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kroacia në BE: Finishi i një përpjekjeje afatgjatë

9 Dhjetor 2011

Kroacia pranohet në BE. Shtetet anëtare vendosën në samitin e Brukselit të premten ta pranojnë Kroacinë në vitin 2013, si anëtaren e 28-të në Bashkimin Europian.

https://p.dw.com/p/13PY4
Presidenti kroat Ivo Josipovic dhe kryeministrja Jadranka Kosor
Presidenti kroat Ivo Josipovic dhe kryeministrja Jadranka KosorFotografi: picture-alliance/dpa

Marrëveshja përkatëse për pranimin e Kroacisë u nënshkrua këtë të premte (09.12.) në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompuy u shpreh entuziast për anëtarësimn e Kroacisë. “Është një ditë historike. Ne të gjithë e nderojmë punën e vështirë që ka bërë Kroacia”, u shpreh ai.

Ndërsa Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manual Barroso deklaroi: "Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes së pranimit është një moment i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe për Kroacinë. Sot ne të gjithë e pranojmë që Kroacia kishte bërë shumë punë, kjo u kurorëzua me sukses dhe suksesi që kremtojmë sot është suksesi i popullit kroat".

Fotoja e përbashkët e samitit
Fotoja e përbashkët e samititFotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek theksoi se Kroacia ka bërë të pamundurën, ka përshtatur ligjet, standartet dhe institucionet me ato europiane. Edhe vendet e tjera të rajonit kanë perspektivë për anëtarësim në BE. "Pas fundit të luftës në Ballkan, ekziston shansi i madh që përmes anëtarësimit të bëhet edhe pajtimi!" tha Buzek, vetë me origjinë nga Polonia.

Më pas marrëveshja do të duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare, në mënyrë që sipas planit aktual në korrik të 2013 Kroacia mund të bëhet anëtare e BE-së me të drejta të plota.

Autor: AG/Kelmendi

Redaktoi: LinditaArapi