1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryediplomatët e BE-së ende të pavendosur për Kosovën

18 Nëntor 2007

Të hënën (19.11) në Bruksel mblidhen ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së. Ata do të diskutojnë edhe për Kosovën.

https://p.dw.com/p/CIgN
Prishtinë, nëntor 2007
Prishtinë, nëntor 2007Fotografi: picture-alliance/ dpa

Edhe pas zgjedhjeve parlamentare të fundjavës në Kosovë, ministrat e jashtëm të BE-së nuk duan të deklarohen lidhur me çështjen, nëse duan ta njohin ose jo shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga një qeveri e re. Siç njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA duke iu referuar diplomatëve, në BE nuk ka unanimitet lidhur me këtë çështje. Ministrat e jashtëm duan që të theksojnë mbështetjen e tyre për përpjekjet e "trojkës" të përbërë nga BE-ja, SHBA dhe Rusia, për arritjen në një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës.

Rusia e shqetësuar

Ndërkaq Rusia u shpreh me shqetësim për fitoren e ish-luftëtarit të UÇK-së Hashim Thaçi në zgjedhjet parlamentare: "Fitorja e partisë demokratike do të thotë radikalizim i përpjekjeve për pavarësi në këtë rajon", deklaroi të djelën (18.11) kryetari i komisionit të Dumës për politikën e jashtme, Konstantin Kosatçjov, vë në dukje agjencia e lajmeve Interfax. Si mbrojtëse e serbëve Rusia është kundër pavarësisë së Kosovës. Kosatçjov e vuri njëkohësisht në pikëpyetje fitoren e Thaçit, pasi serbët e Kosovës i bojkotuan zgjedhjet dhe pjesëmarrja në votime në përgjithësi ka qenë e ulët. Rusia kërkon një zgjidhje të konfliktit në Kosovë që të jetë e pranueshme si nga Beogradi edhe nga Prishtina.

Thaçi deklaron se do të shpallë pavarësinë

Por Hashim Thaçi deklaroi pas zgjedhjeve, se pas përfundimit të bisedimeve ai do të shpallë pavarësinë, deklaratë kjo që nuk i ka pëlqyer bashkësisë ndërkombëtare. Lidhur me këtë shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joahim Ryker (Joachim Rücker) tha: "Është një gjë të artikulosh dëshirat politike dhe kjo veçanërisht në një luftë elektorale. Dhe është tjetër, që procesi i bisedimeve në vazhdim parimisht nuk duhet të dobësohet."

Ndërkombëtarët shpresojnë për krijimin e një qeverie stabël

Sa i përket së ardhmes pas bisedimeve, që po vazhdojnë me ndërmjetësimin e trojkës dhe që sipas të gjitha gjasave nuk do të kenë rezultat, kreu i UNMIK-ut nuk deshi të spekullojë: "Unë mendoj, se edhe një herë u provua demokracia, që nëse tani ka ndryshim qeverie kjo është mëse normale. Nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe ne si UNMIK shpresojmë, që të ketë një qeveri stabël, e cila të jetë në gjendje të përballojë sfidat e javëve dhe muajve të ardhshëm."

Ishinger raporton gjendjen e bisedimeve

Në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së të hënën në Bruksel, ambasadori gjerman, përfaqësues i BE-së në trojkë, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger) do të raportojë lidhur me stadin e bisedimeve. Ndërkohë që të martën në Bruksel zhvillohet takimi mes trojkës dhe përfaqësuesve të serbëve dhe të shqiptarëve. BE-ja dëshiron të përpiqet për vendosjen e një pozicioni të përbashkët, vetëm pasi të kenë marrë fund përpjekjet e trojkës më 10 dhjetor dhe pas konsultimeve eventualisht të reja në Këshillin e Sigurimit.