1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri grek Jorgos Papandreu luan zaret e fundit

4 Nëntor 2011

Kryeministri grek Papandreu nuk dha dorëheqje dhe luan sonte në darkë zaret e fundit, me votimin në parlament ndaj votëbesimit të tij. Ai nuk vihet në pikëpyetje vetëm nga opozita por edhe nga deputetë të tij.

https://p.dw.com/p/1350D
Rojet para parlamentit në Athinë
Rojet para parlamentit në AthinëFotografi: dapd

Kryeministri grek Jorgos Papandreu, luan zaret e fundit të qëndrimit të tij në timonin e vendit. Duke marrë fjalën pak para mesnate në seancën plenare të parlamentit, ku diskutohet votëbesimi i kërkuar prej tij ndaj kabinetit të tij, tha se është i gatshëm të fillojë bisedimet për një qeveri provizore dhe se “nuk është i mbërthyer në karrigen e pushtetit”. “Do të binte kështu qeveria si nga qielli? Është e përgjegjshme kjo? Qëndrimi im është i kristaltë: Të fillojnë menjëherë diskutimet për formimin e një skeme qeveritare të pranuar nga të gjithë, e aftë që tu shërbëjë nevojave kombëtare në fazën e vështirë që kalon vendi dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje,” deklaroi Papandreu.

Kishte paraprirë kritika e ashpër e kreut të opozitës Andonis Samaras i cili i kërkoi të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri provizore disajavëshe, më në krye një figurë konsensuale, që do të miratojë marrëveshjen e re të kreditimit, do t'i kthejë vendit normalitetin dhe do ta çojë në zgjedhje të parakohshme. “Problemi nuk është tashmë të evitojmë zhvillimet më të këqija por të hedhim hapin e madh përpara dhe të nxjerrim vendin nga ky batak i pabesueshëm” theksoi Samaras, i cili përgënjeshtroi kryeministrin për bisedën telefonike duke thënë “i kërkova të japë dorëheqjen dhe jo të bashkëqeverisim”.

Lawmakers applaud Greek Prime Minister George Papandreou, right, as he waves after his speech Diskutimet në parlamentin grek, Athinë 3 nëntor
Diskutimet në parlamentin grek, Athinë 3 nëntorFotografi: dapd

Dita e djeshme ishte padyshim më kritikja në karrierën politike të kryeministrit grek, që akuzohet se “bën akrobacira me vendin në buzë të greminës”. Papandreu anashkaloi kërkesën këmbëngulëse të opozitës por edhe të deputetëve të tij për dorëheqje dhe në mbledhjen e stuhishme të grupit të tij parlamentar, që pasoi mbledhjen disaorëshe të Këshillit të ministrave, u drejtoi apel deputetëve të tij që t'i japin votëbesim sonte në parlament.

“Ne e mbajtëm vendin në këmbë dhe ne vazhdojmë të jemi bastion stabiliteti në këtë vend,” tha kryeministri grek duke u kërkuar deputetëve që “të vahdojnë të rezistojnë”. Mori fjalën deputetja dhe ministria e tij e Arsimit Ana Dhamantopullu, e cila i kërkoi kryeministrit “që t'i bëjë të qartë grupit parlamentar kuadrin e vendosur në Këshillin e Ministrave”, që ishte ai për krijimin e një qeverie të “shpëtimit kombëtar”.

Deputetja Vaso Papandreu, duke marrë fjalën pas ministrit të Financave dhe nënkryetarit të qeverisë Venizellos, shprehu dekurajimin e saj për “mosdorëheqjen e këshillit të Ministrave”, duke i thënë kryeministrit “vendos partinë dhe vendin në peripeci” dhe se “jemi jashtë vendit dhe kohës”.

Diskutimet në parlamentin grek, Athinë 3 nëntor
Diskutimet në parlamentin grek, Athinë 3 nëntorFotografi: dapd

I traumatizuar rëndë në grupin e tij parlamentar Papandre,u në seancën plenare në vazhdim në parlament u përball me kritikën dërrmuese të krerëve opozitarë. “Gënjen, bën shantazh, shpif jashtë vendit, bën populizëm brenda vendit që të mbetet i mbrthyer pas karriges së pushtetit” deklaroi kreu i së djathtës Andonis Samaras që u largua nga salla me gjithë grupin e tij parlamentar. (1.30) “Mua kolegë të dashur më ka shtangur, a thua se nuk është në këtë vend, a thua se nuk ka parë se jemi bërë rezil në botë,” deklaroi kryetarja e partisë Aleanca Demokratike Dora Bakojani, e cila foli për shans të fundit që vendi të evitojë “falimentimin e pakontrollueshëm”. “I jepni një shpresë popullit grek, shpëtoni Greqinë, shpëtoni Greqinë, shpëtoni Greqinë,” tha tri herë Jorgos Karaxhaferis, kreu i partisë nacionaliste Alarmi Ortodoksi Popullo,r në apelin e tij dramatik për konsensus dy protragonistëve Papandreu-Samaras. E majta kërkoi zgjedhje si e vetmja zgjidhje, kurse kryetarja e Partisë Komuniste Alega Papariga tha se “kuvendi aktual nuk legjitimohet që të ratifikojë marrëveshjen e re të kreditimit që do të vijë me një memorandum të ri”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama