1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri serb Daçiq qëndron në Kosovë

Bekim Shehu19 Tetor 2013

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se zyrtarët serbë mund të qëndrojnë në Kosovë për vizita fetare e humanitare, por nuk do të lejohet përfshirja e tyre në fushatën për zgjedhjet komunale.

https://p.dw.com/p/1A2Cm
Fotografi: DW/S. Huseinovic

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, do të qëndrojë të shtunën në Kosovë. Lajmin e konfirmoi të premten (18.10.) në një mbledhje të qeverisë, vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai e cilësoi vizitë me karakter fetar ardhjen në Kosovë të homologut serb Daçiq. Ivica Daçiq, njoftohet se do të qëndrojë në manastirin e Graçanicës, jo larg Prishtinës.

“Më lejoni të sqaroj të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e kryeministrit të Serbisë paraqitet si kërkesë me karakter strikt religjioz. Prandaj, unë konsideroj se nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë. Kosova është shtet modern dhe i pavarur dhe ne i ndajmë vlerat e përbashkëta civilizuese perëndimore. Prandaj, duke qenë një popull i civilizuar dhe i qytetëruar, ne duhet të kemi mirëkuptim edhe për vlerat religjioze dhe ato humanitare edhe të popujve tjerë, në këtë rast edhe të qytetarëve serbë, të cilët janë pjesë e vlerave kulturore dhe religjioze të Kosovës”, tha kryeministri Thaci.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi
Thaçi: "Mirëkuptim për vlerat religjioze dhe ato humanitare edhe të popujve tjerë!"Fotografi: picture alliance/dpa

Kosova dhe Serbia në prill të këtij viti arritën marrëveshje për normalizim të raporteve dhe në këtë linjë, kryeministri Thaci tha se “Kosova ka edhe detyrime shtetërore kundrejt marrëveshjeve të arritura në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe lirinë e lëvizjes”.

“Ne si shtet modern dhe i civilizuar, asnjëherë nuk i kemi ndaluar vizitat e natyrës së tillë, me përjashtim të rasteve kur zyrtarët e Serbisë i kanë keqpërdorur dhe nuk iu janë përmbajtur rregullave dhe procedurave në fuqi”, tha kryeministri Thaci.

Ai rikujtoi që me datën 17.10 në Kosovë ka hyrë ilegalisht Aleksander Vulin, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, megjithë ndalesën që i është bërë nga qeveria e Kosovës. Aleksander Vulin qëndroi në veri të Kosovës pjesë kjo e banuar më shumicë serbe.