1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesë e papritur në konfliktin me Sirinë

Martin Ganslmeier / Eliana Xhani10 Shtator 2013

Kthesë në krizën e Sirisë: Barack Obama ndoshta nuk do të sulmojë regjimin në Damask. Presidenti i SHBA-së tha se do ta pezullojë sulmin nëse Assad do të lejojë kontrollet e armëve kimike, nga autoritetet ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/19eZQ
Presidenti Obama takim me deputetë në Shtëpinë e Bardhë
Fotografi: REUTERS

Christiane Amanpour është korrespondente me përvojë e CNN-it. Por as ajo nuk është e sigurt se si duhet ta vlerësojë Amerika propozimin e papritur nga Moska dhe çfarë fshihet pas tij: "Kemi të bëjmë ose me një propozim serioz ose me një taktikë të re vonese."

Skepticizëm tek amerikanët

Ngjashëm skeptike ishin edhe reagimet e para zyrtare të qeverisë së SHBA-së. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Marie Harf tha se nuk është rastësi që qeveria ruse bëhet aktive pikërisht tani që kërcënon një sulm ushtarak: "Ne do ta shqyrtojmë me hollësi pozicionimin rus. Por tek ne mbizotëron shumë skepticizëm."

Pak kohë më vonë doli para shtypit zv/këshilltari për sigurinë i Presidentit Obama, Tony Blinken. Edhe Blinken u shpreh me tone të kujdesshme por disi më i hapur: "Natyrisht ne do të përshëndesmin dorëzimin e armëve kimike nga Assadi në mënyrë që të mund t'i shkatërrojmë. Ky është qëllimi ynë, pra që ai të mos të mundë t'i përdorë më kurrë."

Me deklaratën e tij ministri Kerry i jep një shans diplomacisë
Ministri i Jashtëm amerikan John KerryFotografi: Getty Images

Gazetarët amerikanë janë të çoroditur: "A do të presë tani presidenti para se të japë urdhërin për sulm?", duan të dinë ata, si dhe "A u përpoq ministri i Jashtëm Kerry t'i japë një shans të ri diplomacisë me propozimin e tij në Londër?". John Kerry të hënën (09.09.2013) në Londër tha se Assadi mund të shmangte sulmin nëse do t'i dorëzonte armët e tij kimike brenda një jave bashkësisë ndërkombëtare.

Si zëdhënësja e Ministrisë së jashtme Harf ashtu edhe këshilltari për sigurinë Bliken iu shmangën këtyre pyetjeve të gazetarëve. Duket se prapa deklaratës së Kerry-t nuk fshihej asnjë strategji dhe krejt rastësisht u hap një dritare për një zgjidhje diplomatike të minutës së fundit.

Trysnia ndaj regjimit sirian duhet të vazhdojë

Ish ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton, e di mirë se si e vlerëson propozimin e fundit rus Presidenti Obama. Pas një takimi me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, Clinton tha: "Nëse regjimi sirian i vendos menjëherë nën kontroll ndërkombëtar armët kimike, ky do të ishte një hap i rëndësishëm." Në asnjë mënyrë nuk duhet të kemi një taktikë të re shtyrjeje. Qeveria ruse duhet më në fund të mbështesë seriozisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare.

Për këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojë trysnia mbi regjimin sirian, tha Hillary Clinton. Ajo u shpreh se mbështet Presidentin Obama dhe është pro një sulmi ushtarak kundër regjimit sirian.

Ekspertët nuk presin që Obama t'i shtyjë sërish planet e tij të deritanishme për sulm. Edhe pse në sfond vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar sa serioz është propozimi rus, Presidenti amerikan ditët e ardhshme do të përpiqet të bindë qytetarët dhe deputetët për domosdoshmërinë e një përgjigje ushtarake. Pas gjashtë intervistash televizive të martën në mbrëmje (10.09.2013) pason fjalimi i Obamës drejtuar kombit. Trysnia ndaj regjimit sirian dhe Moskës nuk duhet të zvogëlohet. Por Senati e ka shtyrë votimin e planifikuar për të mërkurën(11.09.2013). Sipas sondazheve të fundit 60 për qind e amerikanëve dëshirojnë që Kongresi të refuzojë një mision ushtarak në Siri.