1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu me Beogradin vetëm një detyrim

Bekim Shehu31 Gusht 2012

Zëvëndës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë në një intervistë për DW, se nga dialogu me Serbinë nuk duhet pritur shumë, por, është një detyrim që duhet të kryej Kosova.

https://p.dw.com/p/1616U
Fotografi: DW

DW: Zëvëndës-kryeministër Kuçi, Kosovës me 10 shtator përfundimisht i hiqet mbikqyrja ndërkombëtare. Me fundin e mbikqyrjes së pavarësisë, po konstatohet se është përmbushur pakoja e Marti Ahtisarit, mirëpo, të gjithë e dimë se në veri të Kosovës nuk është përmbushur kjo pako. Si do të bëhet për veriun?

Kuçi: Veriu ka qenë një brengë. Secili prej nesh duhet ta pranojë që nuk e kemi dhënë atë që është pritur dhe atë që e kemi dëshiruar. Ka një dështim në impelmentimin e pakos së Ahtisarit në këtë pjesë, në zbatimin e plotë të Kushtetutës sovranitetit dhe ligjeve tona. Gjendja atje është jo e mirë, ka nevojë për një dinamikë më të shtuar të politikës vendore dhe qytetarëve serb atje, ka nevojë për një dinamikë të aktorëve ndërkombëtar që janë në Kosovë EULEX-i dhe KFOR-i, për vendosjen e rendit dhe ligjit, por mbi të gjitha ka nevojë për një presion më pozitiv mbi Beogradin, nga Washingtoni dhe Brukseli, që mos të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, të mos financojë strukturat paralele dhe ta lejojë atë pjesë të Kosovës të integrohet në mënyrë të qetë, paqësore në institucionet e Kosovës. Natyrisht ajo pjesë kërkon kohë kërkon durim, por, nuk duhet të jetë arsyetim për të mos i dhënë fund mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

DW: Ka një kërkesë dhe nëse mund ta quajmë një presion ndërkombëtar për vazhdimin e dialogut me Serbinë, por kësaj radhe të kalohet në nivel politik, pse duhet të ndodhë kështu?

Kuçi: Ka një kërkesë të tillë, është krijuar një ambient i tillë dhe ky ambient ka ardhur si rezultat i gjendjes, sepse kemi pesë shtete anëtare të BE-së që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kanë dilema ta bëjnë një gjë të tillë pa u definuar raportet Kosovë-Serbi. Poashtu, ka edhe një bllokadë në Këshillin e Sigurimit, poashtu për shkak të raporteve Kosovë-Serbi. Çështjet e pazgjidhura nuk kanë të bëjnë me raportet brenda shtetërore, por ndërshtetërore, krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, mundësinë për një stabilitet të plotë edhe institucional edhe qytetar dhe mundësinë për një paqe të qëndrueshme dhe mundësisht bashkarisht të afrohemi për në Bashkimin Evropian si rajon. Ky dialog nuk nënkupton që do të cënohet tërësia teritoriale e Kosovës, pavarësia, sovraniteti, por nënkupton që çështjet që kanë përceptime të ndryshme në të dy shtetet tona t'i zgjidhim përmes rrugës dialoguese. Por, Kosova po kryen obligimet që kërkon BE-ja dhe SHBA-ja, por në asnjë rast këtë nuk do ta mendojmë pjesë që hap temën e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësinë territoriale. Ai dialog është i përfunduar. Por, në çdo moment kur kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare, në çdo moment kur ka çështje të hapura ndërmjet dy shteteve apo ka përceptime të tilla, atëherë, dialogu është rruga e parë, rruga më e mirë për t'i zgjidhur ato probleme. Por, ne nuk do të heqim dorë në ushtrimin e sovranitetit tonë, do të provojmë që përmes dialogut ta bindim Serbinë që mos të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Përmes dialogut ta ndërtojmë paqen e përhershme Kosovë-Serbi dhe përmes kësaj ta ndihmojmë tërë rajonin të jetë i qetë. Por, nëse vihet në peshë shteti i Kosovës dhe cili do opsion tjetër, përfshi edhe paqja, përfshi edhe integrimi në Bashkimin Evropian, ne do ta mbrojmë shtetin e Kosovës.

DW: A mos fillimi i bisedimeve politike me Serbinë, kanë të vetmin qëllim përfshirjen e çështjes së veriut të Kosovës në këto biseda?

Kuçi: Ka edhe çështje të tjera, nuk duhet ta shohim veriun që do të jetë pjesë e dialogut politik, tërësia territoriale e Kosovës, rendi juridik, sovraniteti, nuk do të jenë pjesë e dialogut. Ne do t'i diskutojmë pengesat që po bën Serbia në raport me veriun, ne duhet të diskutojmë për atë se si mund ta implementojmë pakon e Ahtisarit, Kushtetutën e Kosovës në atë pjesë, por mbi të gjitha duhet të diskutojmë si të ndërtojmë raportet e ardhshme, politike, ekonomike, kulturore dhe të tjera, Kosovë-Serbi, raporte këto që shpesh herë po e pengojnë edhe integrimin rajonal, por edhe integrimin në Bashkimin Evropian. Por, nga ky dialog nuk kemi pritje të mëdha, nuk mund të themi se do të bëhet shumë në mënyrë dinamike, por kemi diçka që po e kryejmë edhe një detyrim dhe mbi të gjitha po tregojmë një vullnet që Kosova është gjeneruese e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe jo e kundërta.

DW: Zëvëndës-kryeministër, sa ekziston rreziku që presioni ndërkombëtar për të hyrë në biseda politike me Serbinë, mund të shkaktojë destabilizim të skenës politike kosovare. Kemi parë këto ditë shumë kritika nga ana e opozitës dhe shoqërisë për mos të hyrë në bisedime me Serbinë?

Kuçi: Me lejoni të them se ka një pjekuri të mjaftueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës, befasisht të mirë, poashtu edhe të skenës politike dhe tema e dialogut është pranuar më lehtë sesa është menduar. Ne e dimë gjithmonë që tema të tilla kanë ndikim në opinionin publik, ndikim në grupe të organizuara apo qoftë te ato grupe ndaj të cilave është shkaktuar një vuajtje nga gjenocidi serb, por dialogu është kuptuar si diçka që është afrim, nuk është harresë për atë që ka ndodhur në Kosovë, por është parë që Kosova duhet ta bëjë edhe një hap në këtë rast edhe Serbia në raport me bashkësinë ndërkombëtare për ta përmbyllur kapitullin e konfliktit, për ta hapur një kapitull të ri dhe është parë që tashmë dialogu nuk rrezikon terësinë teritoriale, sovranitetin e vendit dhe poashtu garantuese kryesore janë SHBA-së dhe BE-ja. Dhe sa herë që ne kemi pasur një kohezion nacional, një harmonizim të qëndrimeve politike brenda vendit dhe një partneritet me SHBA-së dhe BE-në, Kosova ka dalë fituese, shqiptarët kanë dalë fitues, kanë dalë fitues edhe të tjerët që kanë jetuar në Kosovë por ka përfituar edhe rajoni. Kosova nuk e ndërron qasjen e saj, pra do të punojmë shumë për kohezion nacional dhe partneritet ndërkombëtar.

DW: E përmendet unitetin e brendshëm. A ka unitet në PDK-së për futjen në bisedime me Serbinë, kemi parë kritika kundër dialogut këto ditët e fundit nga nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj.

Kuçi: Shikoni, dialogu nuk është diçka e vullnetshme që do ta bënte kushdo, çdokush kishte pasur dëshirë që çështjet të zgjidhen me lehtë. Është demokratike që secili prej nesh të shprehë mendimin e vet, natyrisht që ka dilemat e veta edhe dialogu, por njeriu zakonisht bën dialog me atë që ka telelashe, me atë që ka dilema dhe me atë që ka çështje të hapura dhe natyrisht dialogu është pjesë e vullnetit për t'i zgjidhur problemet. Nuk është zgjidhja e problemeve pastaj të vijë dialogu, dialogu është i pari që duhet t'i zgjidhë problemet. Po të kishte rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve, me siguri që dialogu nuk do të përdorej.