1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku ka mbetur revolta e Evropës?

Michael Knigge/ aud23 Qershor 2014

Kur një vit më parë u bënë të njohura zbulimet e E.Snowdenit, se evropianët përgjohen prej SHBA, zemërimi ishte i madh. Tani, dokumente të reja tregojnë se shtete evropiane bashkëpunojnë me NSA-në - por reagime nuk ka.

https://p.dw.com/p/1CNvz
Edward Snowden
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Kur vitin e kaluar u bë e ditur se shërbimi i fshehtë amerikan, NSA kishte përgjuar miliona telefonata dhe lidhje interneti në Evropë - duke përfshirë edhe udhëheqës politikë - në kontinent shpërtheu një valë zemërimi.

Politikanë të zemëruar

Në një hap tepër të pazakontë ndër aleatët perëndimorë, Berlini, Parisi dhe Madridi thirrën ambasadorët përkatës të SHBA, për të protestuar kundër përgjimeve të NSA-së. Nuk mbeti thuajse asnjë politikan evropian pa e shprehur indinjatën e tij për përgjimin nga NSA. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, telefoni celular i së cilës u përgjua nga SHBA, tha: "SHBA dhe Evropa duhet të përballojnë sfida të përbashkëta. Ne jemi aleatë, por një aleancë e tillë ka nevojë për besim. Prandaj unë e përsërit edhe njëherë: spiunim midis shokëve nuk duhet të ketë."

Deklarata të ngjashmë bënë edhe presidenti francez, Francois Hollande dhe kryeministri i atëhershëm i Italisë, Enrico Letta.

Reagime sipërfaqësore

Reagimet e politikanëve pasqyrojnë mendimin publik. Në Gjermani, ku zemërimi për përgjimet e NSA është veçanërisht i madh, sondazhet tregojnë se për shkak të zbulimeve të Snowdenit, besimi tek SHBA ra në një nivel të ulët historik, e krahasueshme me kohën kur ishte në pushtet presidenti i SHBA, George W.Bush. Veç kësaj, gjermanët u shprehën edhe kundër përgjimit të të dhënave të komunikimit prej qeverisë së tyre.

Kur tani revista "Der Spiegel" dhe faqja e internetit të Glen Greenwaldit "The intercept" publikuan se shumica e shteteve evropiane kishin lidhur partneritete të ngushta me NSA-në, a nuk pritej një britmë më e madhe proteste kundër qeverive dhe shërbimeve të fshehta të vendeve tona?

Por kjo mungoi: ose njerëzit janë krejtësisht të përqendruar te Kampionati Botëror i Futbollit, ose njerëzit kanë filluar tashmë të lodhen me NSA-në - për çdo rast reagimet politike dhe mediale janë zhgënjyese. Në Gjermani, kur "Der Spiegel" publikoi dokumente për marrëdhëniet e ngushta dhe prej shumë kohësh të shërbimit të fshehtë gjerman me shërbimin e fshehtë amerikan, raportimi për zbulimet më të fundit ishte shumicën e herëve sipërfaqësor, njësoj si reagimet politike.

Standarde të dyfishta

Kjo jo vetëm që nuk është e mirë - por është edhe hipokrite. Për një kontinent, i cili e sheh veten si mbrojtës të sferës private në epokën digjitale dhe që i dënon amerikanët për përgjimin e tyre, kjo është e ngjashme me një farsë. Sot shumë evropianë dinë shumë më tepër për NSA-në se për shërbimet e tyre të fshehta. Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë.