1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kumanovë: Verifikimi i dëmit në terren pas aksionit policor

Fatos Musliu12 Maj 2015

Qeveria e Maqedonisë: Kompensim i plotë të dëmit, që u shkaktua nga askioni i policisë në fundjavë në Kumanovë. Opozita diskuton për ndryshimin eventualisht të strategjisë së protestës të dielën, por nuk e anulon atë.

https://p.dw.com/p/1FOjZ
Bildergalerie Kumanovo Kämpfe Nachklapp
Fotografi: picture-alliance/epa/V. Xhemaj

Gjendja në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku dy ditë me radhë ka pasur luftime dhe ku është zhvilluar aksioni policor, është qetë. Rrugët janë të mbushura me njerëz, banorët e lagjes kanë ardhur për të parë gjendjen e shtëpive të tyre. Pamjet nga objektet dhe pronat e shkatëruara janë më se tmerruese. Nga luftimet janë dëmtuar mbi 30 shtëpi.

Qeveria e Maqedonisë do t'i kompensojë 100 përqind të gjitha dëmet, që janë shkaktuar gjatë aksionit të policisë në Kumanovë, thotë ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, i cili së bashku me një delegacion qeveritar ka qendruar në Komunën e Kumanovës. “Jemi në Kumanovë me qëllim që t`iu vijmë në ndihmë banorëve të Kumanovës dhe të krijohen kushte për banim. Qeveria ka formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar, i cili brenda 7 ditëve do të dalë me raport dhe në bazë të tij do të kryhet zhdëmtimi i pronës së banorëve të kësaj lagjeje në tërësi, 100 për qind. Qeveria me këtë rast ka ofruar edhe ndihmë strehimi derisa të kryhet restaurimi i shtëpive, kompensimi financiar për qira dhe të tjera”, ka deklaruar ministri Shabani. Sipas planit të miratuar nga qeveria, nga 70 mijë euro kompensim përfitojnë familjet e policëve të vrarë. Kompensime financiare janë planifikuar edhe për të plagosurit, nga 35 mijë për çdo polic të plagosur.
Qeveria në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës dhe ndërmarrjet e ndryshme publike do të punojnë në krijimin e kushteve për banim dhe ndërtim, pastrimin e rrugëve, dezinfektimin e lagjes, rregullimin e rrjetit elektrik e kështu me radhë.

Ministria e Punëve të Brendshme tani për tani nuk e bën publik identitetin e personave të vrarë dhe të arrestuar në Kumanovë.

Bildergalerie Kumanovo Kämpfe Nachklapp
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Ambasadorët kërkojnë përgjegjësi për krizën

Ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Italisë, Francës Britanisë së Madhe dhe BE-së kanë realizuar një takim me kryeministrin Nikolla Gruevski, të cilit i kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën në Maqedoni. Ambasadori i SHBA Jess Baily në emër të të gjithë ambasadoreve dënoi ashpër dhunën dhe bëri thirrje për përmbajtje, durim dhe qetësi.

Ambasadorët kanë kërkuar nga qeveria të jetë më e përkushtuar në zbardhjen e rastit lidhur me aferën e përgjimeve, sepse në të kundërtën e gjithë situata mund të ndikojë negativisht në rrugën e integrimit të vendit. “Shprehim shqetësimrengosje për mungesën e përparimit në drejtim të shumë akuzave ndaj pushtetit, akuza që burojnë nga bisedat e përgjuara telefonike. Mossuksesi për ta demonstruar këtë përkushtim me veprime konkrete do ta rrënojë përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka theksuar ambasadori i SHBA-së Jess Baily.

Ai bëri thirrje që qeveria duhet të mendojë reforma specifike, përfshirë inegritetin e procesit zgjedhor, lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shprehjes.

Grupi i ambasadoreve ka realizuar edhe takime të veçanta me liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Profesori Denko Malevski thotë se deklarata e ambasadorëve deri më tani ka qenë më i ashpëra. “Në fakt me këtë qëndrim, amasadorët kanë kërkuar marjen e përgjegjësisë nga ana e kryeministrit dhe largimin e tij nga politika “, shprehet Malevski.

Nuk anulohet protesta mbarëpopullore e opozitës

Ndërkohë, opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM në mbledhjen e këshillit të partisë, ka vendosur që të mos anulohet protesta mbarëpopullore e caktuar për 17 maj edhe pse ka pasur mendime të kundërta që protesta të anulohet ose të ndryshohet strategjia.

Gjithashtu është vendosur që të vazhdohet me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike me dinamikën që do të vendoset nga udhëheqësit e partisë.

Ndërkombëtarët kanë sygjeruar partinë në pushtet VMRO-DPMNE, që në asnjë mënyrë mostë tentohet të organizohet ndonjë kundër-protestë më 17 maj kur është planifikuar protesta e opozitës, pasi që kjo situatë mund të shkaktojë dhunë.