1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundër: Anëtarësimi i Kroacisë në BE, “Po, por ..."

Bernd Riegert1 Korrik 2013

Kroacia e ka vendin në Bashkimin Evropian. Por do të ishte më mirë sikur të gjitha shtetet trashëgimtare të ish-Jugosllavisë të anëtarësoheshin në BE në të njëjtën kohë.

https://p.dw.com/p/18yXe
Bernd Riegert

Për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe historisë së saj sigurisht që Kroacia i përket Evropës dhe po ashtu edhe Bashkimit Evropian, komunitetit të demokracisë europiane. Ashtu si të gjitha shtetet tjera në Ballkan gjithashtu edhe Kroacia duhet t'i përkasë BE-së, nëse për asgjë tjetër atëherë për të stabilizuar rajonin dhe për t'i bërë në të ardhmen të pamundura luftërat e tilla vëllavrasëse si ato që ndodhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë.  Njerëzit në Kroaci kanë nevojë për një perspektivë evropiane. Këtë e ka premtuar në mënyrë të përsëritur edhe Bashkimi Evropian dhe e ka siguruar me marrëveshje. Tani ka ardhur momenti për këtë por shtrohet pyetja: A është korriku i vitit 2013 me të vërtetë koha e duhur për anëtarësimin e Kroacisë?

Faktet thonë Jo!

Pavarësisht proceseve të vështira të përshtatjes aparati gjyqësor dhe policor i Kroacisë ende nuk ka arritur në nivel evropian. Problemet me ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit mund të jenë edhe më të mëdha sesa që ishin dhe janë në Rumani dhe Bullgari. Parë në aspektin ekonomik Kroacia është një vend krize. Ekonomia është duke u tkurrur.Deficiti është dy herë më i lartë se që e parasheh  Pakti i Stabilitetit Evropian. Papunësia e të rinjve është rreth 40 për qind. Dikush mund të argumentojë se Kroacia mund t'ia dalë më mirë mbanë me këto probleme si një anëtare e BE-së.  Kjo mund të jetë e vërtetë, veçanërisht fondet nga Brukseli sigurisht që do të rriten pas anëtarsimit të vendit. Por përse BE-ja megjithë ngarkesën që ka me Qipron, Greqinë, Spanjën, Portugalinë dhe Irandën e pranon shtesë edhe një vend tjetër në krizë, kjo është e vështirë tu sqarohet njerëzve në Bashkimin Evropian.

Importim i tensioneve etnike?

Çështja  nëse BE-ja aktualisht  është e aftë  për t'u zgjeruar, nuk është diskutuar asnjëherë seriozisht.  Me hyrjen e Kroacisë në BE rritet  rreziku që konfliktet e vjetra mes kundërshtarëve të dikurshëm në luftë dhe tensionet etnike në Ballkan të importohen në Bashkimin Evropian. Aktualisht çdo gjë është e qetë, por në të ardhmen Kroacia si anëtare e BE-së për shembull mund të mbajë Serbinë si vend kandidat larg komunitetit evropian. Do të kishte qenë më mirë sikur të gjitha republikat ish-jugosllave t'i bashkoheshin në të njëtën kohë BE-së. Atëherë konfliktet, për shembull në Bosnjë dhe Hercegovinë apo ato  midis Serbisë dhe Kosovës, do të duhej të zgjidheshin para anëtarësimit. Kroacia anëtarësohet më 1 korrik, për këtë çështje nuk diskutohet më, por nëse anëtarësimi në BE do të jetë një shërbim afatgjatë nuk është vendosur ende.