1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundërshtime në CDU për koalicionin qeveritar

SC/zam/AUD (afp, dpa, rtrd, ARD)9 Dhjetor 2013

Kryesia e SPD e pret me ankth miratimin nga baza e partisë të marrëveshjes së koalicionit me unionistët. Tani rezistencë vjen edhe nga kampi i Merkelit, nga sipërmarrjet e mesme dhe nga anëtarët më të rinj të partisë.

https://p.dw.com/p/1AV9b
Angela Merkel dhe Kurt Lauk
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pak para kongresit të vogël të partisë CDU për marrëveshjen e koalicionit me socialdemokratët fjalën e kanë marrë shumë politikanë unionistë, të cilët kritikojnë përmbajtjen e marrëveshjes. Ata kritikojnë edhe mënyrën e veprimit të kryetares së CDU-së dhe kancelares Angela Merkel. Krahu i ekonomisë dhe biznesit të CDU-së madje tha në gazetën "Bild"se do të votojë kundër marrëveshjes së koalicionit të gjeë. Anëtarë të kryesisë së partisë si dhe një grup politikanësh të rinj të CDU-së kërkojnë pjesëmarrje më të gjerë të bazës së partisë.

Jehonë e përzier ndaj koalicionit të gjerë

Kryetarët e Këshillit Ekonomik të CDU-së, të Shoqatës së Sipërmarrjeve të Mesme të qarkut parlamentar Sipërmarrjet e Mesme nuk duan të japin mbështetje për marrëveshjen. "Ne nuk mund të japim mbështetje për këtë marrëveshje koalicioni", deklarojnë Kurt Lauk, Carsten Linnemann dhe Christian Freiherr von Stetten njëzëri. Konkretisht ata kritikojnë në radhë të parë marrëveshjet për pensionet dhe pagën minimale, por edhe për kthesën energjitike dhe politikën e taksave.

Kundër marrëveshjeve për pensionet dhe pagën minimale

Von Stetten-i e quajti premtimin për pensionet për të cilin ranë dakord unionistët dhe socialdemokratët një "krim ndaj brezit të ardhshëm". Ai tha se është absurde, që vitet e papunësisë të llogariten si vite kur ke paguar kontribute, për të marrë pension të plotë që në moshën 63 vjeçare.

Kryetari i Këshillit Ekonomik kritikoi që paga minimale do ta shtojë papunësinë tek të rinjtë, të kualifikuarit pamjaftueshëm dhe te njerëzit që japin rendiment të dobët. Veç kësaj, marrëveshjet për kthesën energjetike janë "absolutisht të pamjaftueshme".

CDU-ja do ta hedhë në votë këtë të hënë në një kongres të vogël partiak në Berlin marrëveshjen e koalicionit. Në mënyrë kritike për pjesë të marrëveshjes u shprehën në fundjavë edhe rreth 50 politikanë kryesisht të rinj kristiandemokratë, në një manifest të publikuar në internet me titull "T'i marrim sot vendimet e drejta për vitin 2017". Në manifest shprehet shqetësimi që paketa e pensioneve për të cilën u ra dakord do të rëndojë në mënyrë të njëanshme para së gjithash brezin e tyre. Më tej jepet paralajmërimi se "sukseset e politikës së pensioneve të 15 viteve të fundit " janë në rrezik.

Njëkohësisht, anëtarët e rinj të CDU-së kërkojnë një riorientim përmbajtësor të partisë dhe një rinim të saj.