1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuqi: Kosova nuk krahasohet me Abkazinë e Osetinë Jugore

Bekim Shehu/ Prishtinë27 Gusht 2008

Qeveria e Kosovës radhitet krah qëndrimit të botës perëndimore pas vendimit të Moskës për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Ajo thotë se Kosova është rast i veçantë e mbi këtë bazë është shpallur pavarësia

https://p.dw.com/p/F5k9
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Autoritetet më të larta politike në Prishtinë, thonë se çështja e statusit të Kosovës është një rast i veçantë në botë dhe askush nuk mund të vendosë paralele ndërmjet Kosovës dhe konflikteve të tjera në rajone të botës. Kështu përgjigjet Prishtina zyrtare, pas vendimit të Moskës për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve separatiste në Gjeorgji, Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, i tha DW-së, se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar dhe në Kosovë sipas tij, po zbatohet plani i Marti Ahtisarit, i cili ishte ngarkuar nga vetë Kombet e Bashkuara.

"Kosova është një rast sui-generis, i pa përsëritshëm edhe në historinë politike diplomatike, por edhe në të drejtën ndërkombëtare. Në këtë linjë, qëndrimi i Kosovës radhitet krah qëndrimit të botës demokratike, në këtë rast të Uashingtonit dhe Brukselit. Vendosja e çdo paraleleje ndërmjet Kosovës dhe rajoneve problematike në Gjerogji nuk qendon aspak. Kosova duhet të trajtohet si rast i veçantë dhe i pa përsëritshëm", thotë zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi.