1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush është Arid Uka, vrasësi i ushtarëve amerikanë?

3 Mars 2011

Arid Uka, 21 vjeç, i njohur edhe me emrin Abu Reyyan, ka pranuar autorësinë e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve ditën e mërkurë në aeroportin e Frankfurtit

https://p.dw.com/p/10TBg
Autobusi ku u qëlluan ushtarët amerikanëFotografi: AP

Sipas një njoftimi të zyrës së kriminalistikës së landit Hesenit për televizionin ARD të cituar nga agjensia e lajmeve dpa, Arid Uka në marrjen në pyetje ka thënë se ka parë në internet një video me "pamje të këqia" të ushtarëve amerikanë. Video-ja tregonte se si ushtarët amerikanë plaçkitnin një shtëpi në Afganistan dhe përdhunonin një vajzë.

Pasi e kishte parë videon ai "nuk kishte mundur të flinte gjithë natën". Veç kësaj 21 vjecari kishte vënë re se si ushtarët e SHBA-së shpreheshin me përçmim në aeroportin e Frankfurtit për popullin afgan. Video-ja dhe kjo sjellje e ushtarëve " kishin qenë për të impulsi për të vrarë veçanërisht ushtarë amerikanë që udhëtojnë për në Afganistan".

Por kush është Arid Uka?

Ai vjen nga një familje kosovare, nga fshati Zhaber i Mitrovicë.s Babai i tij, Murat Uka ka ardhur si punëtor në Gjermani para 40 vjetësh. Vetë Murati u shpreh i shokuar kur mori vesh ngjarjen:

“Amerikanët janë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar shumë. Sigurisht, që kurrë nuk pajtohem me atë çfarë ka ndodhur“, thotë ai për mediat.

Edhe të afërmit e familjes se Aridit, të cilët jetojnë në Mitrovicë, e kanë dënuar sulmin mbi ushtarët amerikanë.

Në faqen e internetit në Facebook-un e Arid Ukës lexon referenca për Luftën e Shenjtë, urrejtje për “jobesimtarët” dhe ka një thënie të tijën të preferuar – “të mos flenë kurrë sytë e frikacakëve” – të Khalid Bin Walid-it, një luftëtar i lashtë islamik. Besimtarit i lejohet të luftojë jobesimtarët kur të sulmohet”.

Gjermanët janë të frikësuar nga feja islame dhe përhapja e saj dhe më parë do të besonin në Santa Claus”, shkruan ai.

Fqinjët: Shoqërohej me një siriano-gjerman, ishte tip i qetë

Sipas së përditshmes gjermane "Bild", e cila i referohet një fqinje të shtëpisë ku banonte familja e Aridit, atentatori ishte shoqëruar hapur me një islamist gjerman, që ishte arrestuar në qershor të 2010, siriano-gjermanin Rami M.

Rami M. ka banuar në të njëjtën shtëpi. Të dy ishin shokë, thotë fqinja për agjensinë e lajmeve dapd. Rami M. ishte arrestuar verën e kaluar nga shërbimi sekret pakistanez, ISI. Pa Raminë, Aridi nuk do të kishte pasur kurrë një ide të tillë", thotë ajo për agjensinë gjermane dapd.

Në kohën e sulmit ndaj ushtarëve, ai ka thënë gjashtë deri në shtatë herë "Allah Akbar" dhe pastaj ka qëlluar mbi ata, shkruan dpa.

Një tjetër fqinjë, Katarina F. me origjinë nga Serbia për të përditshmen online Bild.de e përshkruan Aridin si një të ri normal dhe djalosh të këndshëm.Po për këtë faqe interneti, një ish-shok i tij i klasës e cilëson Aridin :"Një tip i qetë, shumë miqësor, por tip që nuk binte në sy. Ai vepronte më shumë vetëm, nuk kishte asnjë shok".

Ai përfundoi një shkollë profesionale në Eduard -Spranger-Schule dhe ishte punësuar prej një muaji në qendrën ndërkombëtar postare në aeroportin e Frankfurtit si ndihmës. Detyra e tij ishte të shpërndante postën. Kontrata e punës e 21 vjeçarit do të përfundonte në fund të marsit.

"Ne ishim të kënaqur me punën e tij , i tha gazetës "Bild", zedhënësi i postës, Stefan Heß.

Autor: Bild/dpa/dapd/ARD/ Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi