1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush e financon grupin xhihadist ISIS?

Andreas Becker / Lindita Arapi19 Qershor 2014

Që nga pushtimi i qytetit irakian, Mosul, grupi xhihadist ISIS konsiderohet organizata terroriste më e pasur në botë. Nga vijnë paratë e kësaj organizate?

https://p.dw.com/p/1CLpp
Fotografi: AFP/Getty Images

Kur luftëtarët e ISIS ("Shtet Islamik në Irak dhe në Siri") pushtuan qytetin irako-verior Mosul, ata rrëmbyen nga banka e atjeshme, 500 miliardë dinarë irakianë, rreth 420 milionë dollarë amerikanë. Kjo shumë është një pjesë e shumës prej 2 miliardë dollarësh që duket se ISIS ka në llogarinë e saj për të bërë "luftën e shenjtë". Nga vijnë këto para është mjaft e kontestuar.

Qeveria shiite irakiane akuzon Arabinë Saudite për mbështetjen e ISIS. Kryeministri irakian, Nuri al Maliki u shpreh të martën (17.06.2014) se "në bëjmë përgjegjëse për këtë Arabinë Saudite" për të gjitha ndihmat dhe mbështetjen morale që gëzon ISIS. Shtetet e Bashkuara, aleatët e Arabisë Saudite i hedhin poshtë këto akuza të kryeministrit irakian. Këto deklarata janë "të paqarta dhe fyese", reagoi Jen Psaki, zëdhënëse e departamentit amerikan të shtetit, të martën në mbrëmje.

Para nga shtetet e Gjirit?

"Nuk ka asnjë dëshmi të vërtetuar publikisht, që qeveria e një shteti ka marrë pjesë në krijimin apo financimin e një organizate si ISIS", shpjegon Charles Lister, studiues i ftuar në "Brookings Doha Center", një organizatë- "think-tank" amerikane, degë e institutit Brookings në Katar.

Ndërsa Günter Meyer, drejtuesi i Qendrës Studimore për Botën Arabe në Universitetin Mainz nuk dyshon në furnizimin me fonde të xhihadistëve. "Burimi më i rëndësishëm deri më tani ka qenë mbështetja nga shtetet e Gjirit, me në krye Arabinë sauditë, por edhe Katarin, Kuvajtin apo Emiratet e Bashkuara Arabe", shprehet Meyer për Deutsche Welle-n.

Günter Meyer, drejtuesi i Qendrës Studimore për Botën Arabe në Universitetin Mainz
Günter Meyer, drejtuesi i Qendrës Studimore për Botën Arabe në Universitetin MainzFotografi: picture-alliance/dpa/Peter Pulkowski

Motivimi i shteteve sunite të Gjirit ka qenë lufta e ISIS kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad në Siri, shpjegon Meyer. Tre të katërtat e popullsisë siriane janë myslimanë sunitë, por vendi qeveriset nga në pakicë alevite, një degëzim i islamit shiit.

Por ndërkohë qeveria e Arabisë Saudite është ndërgjegjësuar edhe për rreziqet. "Sauditët përbëjnë ndërkohë kontigjentin më të madh të luftëtarëve të huaj tek ISIS. Kur këta të kthehen në vend, ekziston rreziku që të ngrihen kundër regjimit saudit", thotë Meyer. Megjithatë ka arsye që të mendohet se fluksi i parave vazhdon të rrjedhë nga Arabia Saudite, "jo aq nga qeveria saudite, se sa nga ana e sheikëve të pasur sauditë."

Para përmes naftës dhe trysnisë

Si burim të dytë financimi për ISIS, Meyer llogarit edhe platformat e naftës në Veri të Sirisë. "ISIS e ka kuptuar që t'i vinte nën kontroll këto burime." Me cisterna të mëdha ata e sjellin naftën në kufi me Turqinë, ky është një burim i rëndësishëm i financimit."

Sipas Carles Lister nga Brookings Doha Center, ISIS është në gjendje të vetëfinancohet madje. "ISIS është përpjekur të themelojë rrjete të sajat në shoqëri, me qëllim të mos ndërprerjes së fluksit të parave." Por edhe trysnia e xhihadistëve kthehet në burim parash. Si shembull Lister përmend trysninë sistematike që ushtrohet në qytetin e pushtuar ndërkohë Mosul. Lister: "Të prekur nga kjo janë biznesmenët e vegjël, firmat e mëdha, firmat e ndërtimit, dhe po qe se fjalët që qarkullojnë janë të vërteta, madje edhe përfaqësues të pushtetit lokal të atjeshëm." Përveç kësaj kjo organizatë mbledh taksa në zonat që kontrollohen tërësisht prej saj, si Raqka, në veri të Sirisë.

Eksperti Günter Meyer e përjashton mundësinë e financimit të ISIS nga lidhje të ish-diktatorit, Sadam Husein. Qëllimet e të dyja palëve janë shumë të ndryshme. ISIS kërkon ngritjen e një shteti islamik, sunitët e partisë Baath duan një demokraci sekulariste.#bbig'

Para për xhihadin

Lëvizja më e fortë e ISIS sigurisht ka qenë bastisja e Bankës Qendrore në Mosul. Por edhe banka të tjera në rajon janë vjedhur e bastisur, thotë Meyer. Me këto para ISIS mund "të blejë xhihadin", shkroi në twitter blogeri britanik që analizon ngjarjet në Siri, Eliot Higgis, nën pseudonimin Moses Brown. "Me 420 milionë dollarë, ISIS mund të paguaj një vit rreth çdo muaj 600 dollarë luftëtarëve të saj."

ISIS ka rreth 10.000 luftëtarë. Nuk dihet se si i menaxhon fondet organizata. "Mendohet se ISIS paguan së paku luftëtarët e huaj në radhët e saj, ndoshta edhe të gjitha trupat", thotë Charles Lister. "Në rajonet e kontrolluara prej saj, organizata subvencionon bukën, ujin dhe karburantin, përveç kësaj ajo merr përsipër edhe reparatura të ndryshme, apo përpiqet të rivërë në funksionim shërbimet publike.

Sipas Günter Meyer, ISIS do t'i investojë fondet edhe për armatimin e saj. Gjatë pushtimit të Mosulit, ISIS rrëmbeu edhe shumë armë dhe automjete amerikane. "E me këto mundësi financiare, ISIS mund të blejë shumë lehtë armë në tregun ndërkombëtar."