1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020409 London Protest

3 Prill 2009

Skena të pazakonta në lagjen e bankave dhe të bursës në Londër. Në fillim të takimit të G-20-ës, kundërshtarë militantë të kapitalizmit zhvilluan përleshje me policinë. Shumë prej tyre kanë edhe halle serioze.

https://p.dw.com/p/HPOy
Protestues në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës në Londër.
Takimin e nivelit të lartë të G-20-ës në Londër e shfrytëzuan për të përcjellë mesazhin e tyre, rreth 5 mijë protestues.Fotografi: AP

Kudo ku mblidhen kryetarët e shteteve dhe të qeverive, janë të pranishëm edhe ata- demonstruesit. "Ai që bën ftesë për takimin e nivelit të lartë, ai bën ftesë edhe për protestë," thotë njëri prej tyre. Rastin e takimit të nivelit të lartë të G-20-ës në Londër e shfrytëzuan rreth 5 mijë protestues, për të përcjellë mesazhin e tyre. Që të gjesh se cili është pikërisht mesazhi që përcillet, kjo nuk është punë e lehtë.

"Unë dua të demaskoj sistemin bankar si atë që është me të vërtetë - një gënjeshtër." Thotë një demonstrante angleze në Londër. Njësoj si ajo ndiejnë shumë. Një pjesë e madhe është e zemëruar me falimentimin e sistemit financiar botëror. "Ndëshkojini bastisësit" sheh të shkruar në pllakatet e tyre. Shpërblime milionash për menaxherët, bankat e të cilëve duhet të shpëtohen me paratë e takspaguesve, kjo i nxjerr në rrugë shumë vetë. Ata janë të zemëruar me kryetarët e shteteve dhe të qeverive dhe menaxhimin prej tyre të krizës. Takimi politik i nivelit të lartë është për ata simbol i një rendi botëror kapitalist neoliberal, i cili ka dështuar në sytë e tyre. Kjo ndjesi i bashkon kundërshtarët e globalizimit, që prej Greenpeace deri te Attac.

Grupe të ndryshme që demostrojnë në Londër.
Ka shumë grupe të ndryshme, të madhësive të ndryshme, që kundërshtojnë takimet e nivelit të lartë. Pjesën më të madhe të demonstruesve mund t'i gruposh politikisht si Të majtë- të Gjelbër.Fotografi: AP

"Unë jam këtu me një grup mbrojtësish të ambjentit." Kjo grua demonstron për atë që të mos harrohen mbrojtja e ambjentit dhe ndryshimi i klimës. Mbrojtja e klimës, ngrohja globale e tokës i tërheq prej vitesh demonstruesit në takime politike të nivelit të lartë. Tani zemërimi te ata është veçanërisht i madh: shtetet shpenzojnë miliarda, për të shpëtuar bankat. Para, që shtetet nuk i kishin kurrë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e ambjentit dhe të klimës.

Disa demonstrues nuk janë në gjendje fare të të thonë, se çfarë kundërshtojnë dhe çfarë mbështesin. Ata thjesht ndihen të dobët, pa ndihmë dhe pa ndikim. Ata demonstrojnë kundër kësaj ndjenje bazë të pafuqisë: "Të protestojmë është e vetmja gjë që mund të bëjmë ne. Unë nuk e di se çfarë mund të bëj ndryshe. Besoj që të gjithë ndihen pa pushtet dhe të zemëruar thellë dhe të gjithë kanë merak për të ardhmen e fëmijëve të tyre."


Kështu që ka shumë grupe të ndryshme, të madhësive të ndryshme, të cilët kundërshtojnë takimet e nivelit të lartë. Pjesën më të madhe të demonstruesve mund t'i gruposh politikisht si Të majtë- të Gjelbër, aktivistë të Attac-ut, sindikalistë, studentë, komunistë. Ata protestojnë kundër luftës, shkatërrimit të ambjentit dhe kapitalizmit. Secili kundër asaj që e zemëron më shumë. Një mesazh i përbashkët nuk ekziston.

Autor: Beniamin Wüst / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama