1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës - mocion për reciprocitet me Serbinë

21 Janar 2012

Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash miratoi një mocion të ri për reciprocitet me Serbinë, duke shfuqizuar kështu, mocionin e mëhershëm të shtatë dhjetorit, i inicuar nga Lëvizja Vetvendosja.

https://p.dw.com/p/13nck
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i KosovësFotografi: picture-alliance/dpa

Mocioni i ri i kuvendit të Kosovës u inicua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u miratua në orët e vona të mbrëmjes të së premtes, pas një debati të nxehtë që u zhvillua gjatë gjithë ditës së premte në parlamentin e Kosovës. Debati kishte në fokus protestat e 14 janarit të organizuara nga lëvizja Vetvendosja, e cila për synim kishte bllokimin e mallrave serbe që të hyjnë në Kosovë. Kjo lëvizje kërkonte zbatimin e mocionit të shtatë dhjetorit, që specifikonte reciprocitet të plotë me Serbinë ekonomik dhe politik. 

Mirëpo, megjithë mocionin e ri të miratuar të premtën në mbrëmje në kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetvendosja, njofton serish se ka vendosur që më datën 22 janar të dielën të mbajë një proteste, duke synuar serish që të bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Mocioni i ri i miratuar të premtën në kuvendin e Kosovës, i inicuar kësaj radhe nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh që Qeveria e Kosovës t'i raportojë Kuvendit çdo tre muaj lidhur me çështjen e reciprocitetit me Serbinë.

Podujevë, 14 janar 2012
Podujevë, 14 janar 2012Fotografi: AP

Pikat e mocionit:

1. Kuvendi i Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm.

2.Qeveria e Kosovës, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të vendosë për masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura.

3. Qeveria obligohet t'í raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit.

4. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Kuvendit në lidhje me këtë çështje.

Partitë politike opozitare kundërshtuan mocionin e ri të miratuar, duke thënë se në këtë mënyrë, duke miratuar mocione të njëpasnjëshme në kuvend, nuk mund të zgjidhen problemet.

Autor: Bekim Shehu