1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen e MSA-së

Bekim Shehu2 Nëntor 2015

Deputetët e kuvendit të Kosovës me shumicë votash ratifikuan me ligj Marrëveshjen e MSA-së. Partitë politike opozitare nuk morën pjesë në votim.

https://p.dw.com/p/1GyOD
Kosovo Parlament
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Deputetët e kuvendit të Kosovës me 86 vota pro miratuan ligjin që e mundëson zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për ratifikimin e MSA-së, nevojiten dy të tretat e 120 deputetëve, sa i ka parlamenti i Kosovës. Ratifikimi i MSA-së, u bë në një seancë solemne, ku të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe një numër i madh i ambasadorëve në Prishtinë të vendeve më të industrializuara. Tri partitë politike opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, morën pjesë vetëm në fillim të seancës, derisa lexuan fjalimet e tyre kundër qeverisë dhe siç thanë “të metat që i ka marrëveshja (MSA)”. Opozita me pas u largua nga salla e Parlamentit, duke mos marrë pjesë në votim për ratifikimin e MSA-së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ishte nënshkruesi i marrëveshjes së MSA-së së bashku me Ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku tha se marrëveshja e MSA-së është një proces tepër i rëndësishëm në krijimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik. “Ne duhet t'i plotësojmë të gjitha kriteret që i kemi pranuar me këtë marrëveshje”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i integrimeve evropiane, Bekim Çollaku, duke e arsyetuar projektligjin për MSA para deputetëve, tha se kjo marrëveshje paraqet hapin e parë dhe të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ministri Çollaku tha se në çdo aspekt kjo marrëveshje është e ngjashme me marrëveshjet që kanë nënshkruar vendet e rajonit.

“Fati i Kosovës do të jetë i lidhur më ngushtë me Bashkimin Evropian. Vlerat e BE-së janë vlera që qytetarët e Kosovës i kanë përqafuar me kohë. MSA-ja në çdo aspekt është e ngjashme me marrëveshjet që kanë nënshkruar vendet e rajonit”, tha ministri Çollaku duke rikujtuar megjithatë, se “rasti i Kosovës është i veçantë", duke ditur se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.

“Nga këndvështrimi ligjor, MSA-ja për Kosovën ka bazë ligjore të njëjtë si me vendet e rajonit. Republika e Kosovës ka marr përsipër përafrimin e legjislacionit të BE-së në këtë fazë dhe fazat tjera”, tha ministri Bekim Çollaku.

Kosova në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit prezantohet me fusnotë, jo si Republikë e Kosovës. Në këtë pikë këmbëngul opozita, e cila thotë se Kosova nga Bashkimi Evropian nuk trajtohet si shtet. Glauk Konjufca, shef i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha në fillim se nënshkrimi i MSA-së është hap i mirë për Kosovën, por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak se Kosova ka zhdukur krimin dhe korrupsionin, por “si rezultat i nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë”.

“Nënshkrimi i MSA paraqet një hap përpara dhe si i tillë në parim është për t'u përshëndetur, por në çfarë statusi po e nënshkruan dhe ratifikon Kosova MSA-në. MSA me BE-në po ratifikohet si Kosova një entitet me fusnotë. Fusnota ashtu si “Zajendnica”, thotë se vlen rezoluta 1244 e kjo i bie që Kosova është nën protektoratin e Serbisë. Kosova mendon se është shtet i pavarur, por fusnota e thotë të kundërtën. Dhe tash Kosova po miraton legjislacion me termin Kosovë dhe me fusnotë që është marrëveshje me Serbinë. Fusnota ndal ngadalë po fillon të bëhet emri ynë i brendshëm”, tha shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje para se ai së bashku me deputetët tjerë të opozitës ta lëshojnë sallën e Kuvendit.

Partitë politike opozitare nuk e penguan mbajtjen e seancës për ratifikimin e MSA-së, por, mbajtjen e seancave të tjera të rregullta ata do të përpiqen t'i ndalojnë. Kjo po ndodh tash e gati dy muaj, ku po vazhdon të mbretërojë një situatë e tensionuar politike ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës, pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve nga qeveria e Kosovës, për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës me shtetin fqinjë Malin e Zi. Sipas partive opozitare, marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe e ndan Kosovën mbi baza etnike ndërsa, marrëveshja me Malin e Zi i jep shtetit fqinj një pjesë të territorit të Kosovës.

Opozita kërkon nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheqë nënshkrimet nga këto dy marrëveshje. U desh ndërhyrja e Presidentes Atifete Jahjaga, që të përpiqet ta shtensionojë situatën politike. Presidentja Jahjaga, tashmë e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa thotë se do ta respektojë çfarëdo interpretimi apo vendimi që del nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa, udhëheqësit e opozitës shprehin dyshime nëse Gjykata do ta marrë vendimin e duhur apo jo. Megjithëkëtë, partitë politike opozitare vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave të rregullta në Kuvendin e Kosovës, pa tërheqjen e nënshkrimit nga dy marrëveshjet, ne atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.