1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëvizje në bisedimet e Vjenës?

A. Shuka4 Nëntor 2007

Tema të tjera të shtypit ndërkombëtar: Marrëdhëniet BE-Rusi, tregtia mes BE-së dhe SHBA-ve, si dhe Roli i SHBA-ve në politikën globale

https://p.dw.com/p/C0lG
Fotografi: dpa

Para bisedimeve të Vjenës të hënën, më 5 nëntor, gazeta moskovite VREMJA NOVOSTEJ shkruan:

"Koha nuk pret, por falë ideve të reja negociatat po lëvizin nga pak. Edhe vetë Moska tani po tregohet më e hapur ndaj disa propozimeve që më parë nuk i pranonte. Kremlini favorizon një zgjidhje që e shpall Kosovën zonë të mandatuar nga OKB-ja për një periudhë afatgjate, SHBA-të po mendohen ta ngrijnë konfliktin për të paktën 12 vjet, ndërsa përfaqësuesi i BE-së, Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger) do të propozojë si model për Kosovën marrëveshjen gjermano-gjermane të vitit 1972 për kushtet bazë, njofton gazeta në prag të negociatave të Vjenës, të hënën e ardhshme (05.11.).

Javën e ardhshme presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do presë disa udhëheqës nga Evropa: I pari është kryeministri turk, Rexhep Taip Erdohan (Recep Tayyip Erdogan), më pas presidentin francez, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy) dhe së fundi, kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila së bashku me të shoqin do ta vizitojnë Xhorxh Bushin (George W. Bush) në shtëpinë e tij në Teksas.

Nisur nga këto vizita nga Evropa, e përditshmja londineze FINANCIAL TIMES komenton rolin e SHBA-ve në botë:

"Për sa kohë që SHBA-të do të mbeten edhe për disa dekada fuqia më sunduese, ato do të kenë të drejtë. Por u mungojnë dy gjëra: Pranimi i faktit që rritja e fuqive të tjera - para së gjithash e Kinës dhe Indisë - e zvogëlojnë forcën relative të Amerikës, si dhe pak më shumë se një ide e vagullt se si do të mund ta ndërtonin SHBA-të këtë terren. Këtu është edhe qëllimi i udhëheqjes amerikane: Ashtu siç e ka bërë për perëndimin mbas Luftës së Dytë Botërore, ajo tani duhet të fillojë të skicojë një sistem ndërkombëtar, i cili në qendër vë bashkëpunimin mes fuqive të mëdha, e jo konkurencën mes tyre. Shumë njerëz mund të thonë se kjo kërkesë drejtuar kandidatit të sotëm për Shtëpinë e Bardhë është e tepruar. Ndoshta ata kanë të drejtë. Por ne tani duhet të përgatitemi për çrenditjen e re globale."

WALL STREET JOURNAL merret me ndikimin BE-së ndaj ekonomisë amerikane:

"Shembulli i "Microsoft"-it ka bërë të qartë se rregullat për tregtinë globale i përcakton Evropa, pikërisht në dobi të industrisë së saj, sulmon gazeta në një koment me titullin "Imperializëm evropian". Sipërmarrjet tani duhet të shohin, se nuk kanë alternativë tjetër, veç nënshtrimit. Në 50 vitet e kaluara kanë besuar se Evropa po ndërton një treg të lirë. Por shumë politikanë në Evropë mendonin se më shumë rregulla dhe më shumë intervenim janë një rrugë më e mirë drejt mirëqënies. Rezultati është një luftë e "heshtur por e përqendruar kundër tregtisë joevropiane", veçanërisht kundër sipërmarrjeve nga SHBA-të. Kështu për shembull, nga njëra anë fermerëve evropianë u pëlqente mungesa e konkurrencës amerikane. Nga ana tjetër, BE-ja përpiqet t'u imponojë SHBA-ve standardet e saj për mjedisin. Duke përmendur edhe disa shembuj të tjerë, gazeta arrin në përfundimin se gjithçka vërtitet rreth çështjes, se si "ta përdorin pushtetin e tyre funksionarët e pazgjedhur nga Brukseli dhe politikanët proteksionistë në kryeqytetet e BE-së si një instrument të nacionalizmit ekonomik". Duke u fshehur mbas "synimeve sociale që tingëllojnë dashamirëse" ata po dëmtojnë sipërmarrjet amerikane dhe reduktojnë lirinë e tregtisë. Kjo përbën një kërcënim në rritje për konjukturën e Shteteve të Bashkuara. Politikanët e Amerikës duhet të zgjohen nga gjumi!"

Në një apel të përbashkët ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Francës kanë apeluar gjatë kësaj jave ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, që të mos e pezullojë marrëveshjen për armët konvencionale në Evropë. E përditshmja italiane CORRIERE DELLA SERA nga Milano komenton:

"Mesazhi është natyrisht jo një letër e hapur, por një iniciativë diplomatike, me të cilën Rusisë i kërkohet që të ulet në tryezën e bisedimeve. Dy fuqitë më të mëdha në Evropën kontinentale janë të gatshme që t'i marrin parasysh nevojat strategjike të Kremlinit, ta bindin vendin për bashkëpunim. Perëndimi duhet ta ketë të qartë, që Rusia duhet t'i respektojë kërkesat dhe strategjitë e një fuqie të rilindur botërore. Putini e di më së miri këtë dhe ndoshta do të kërkojë nga perëndimi si shpërblim shumë gjëra: Do të flitet për pavarësinë e Kosovës, po ashtu edhe për pozitën politiko-ushtarake të Gjeorgjisë dhe Ukrainës - dy republikave të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat sot dëshirojnë të orientohen nga perëndimi. Rusia është kthyer: Berlini dhe Parisi e kanë kuptuar."