1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largim i nevojshëm - Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni i gatshëm të japë dorëheqjen

9 Nëntor 2011

Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni është i gatshëm të japë dorëheqjen. Pasi ai nuk arriti të marë shumicën absolute në parlament, atij nuk i mbeti alternativë tjetër. Largimi i Berluskonit është i nevojshëm.

https://p.dw.com/p/1376G

Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni ishte deri tani një artist i mbijetesës politike. Ai është në pushtet më gjatë se çdo kryeministër tjetër italian që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Që prej fitores së tretë në zgjedhje në vitin 2008, ai ka fituar rreth 50 mocione votëbesimi. Por aktualisht Berluskoni, i cili ka arritur t'u bëjë bisht deri tani shumë proceseve gjyqësore po e pëson prej mosbesimit të tregjeve financiare. Pas gati një dekade stanjacioni, papunësie të lartë dhe borxhi të lartë shtetëror, investuesit blejnë gjithnjë e më pak hua shtetërore nga Italia. Shpenzimet për borxhet e reja janë në nivele rekord. Edhe Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë humbur besimin në aftësinë e Berluskonit, se ai të ndërmarrë në kohën e duhur reformat e nevojshme. Ata do të dërgojnë kontrollorët e tyre në Romë. Për kavalierin krenar Berluskoni kjo është e barabartë me një turpërim.

Dorëheqja - e nevojshme

Nëse Berluskoni nuk do ta japë dorëheqjen, në dallim me atë që është deklaruar, atëherë kjo në bazë të llogarive të një organizate politike në Bruksel do t'i kushtonte Italisë 26 miliardë euro. Kjo do të ishte shuma e interesave shtesë, që duhet të paguante Italia në tri vitet e ardhshme për emetimin e huave shtetërore. Nëse Berluskoni qendron në pushtet, edhe për evropianët puna do të bëhet më e vështirë; sepse Banka Qendrore Evropiane po blen me shumicë hua shtetërore italiane, për ta mbajtur brenda kufijve krizën.

Berluskoni qendroi i mbërthyer pas pushtetit, jo vetëm sepse është jashtëzakonisht snob dhe që i pëlqen vetja, por edhe sepse posti i kryeministrit i ka ofruar atij një lloj mbrojtjeje nga prokurorët e zellshëm dhe nga gjykatësit. Ata përpiqen prej vitesh t'i dëshmojnë atij shkelje penale. Prestigji publik i Berluskonit në Evropë ka kohë që është rrënuar, edhe për shkak të aferave të pafundme të seksit dhe të politikës së tij me hope. Në Itali ai ka humbur njëra pas tjetrës zgjedhje rajonale, qindra mijëra vetë protestojnë kundër politikës dhe personit të tij.

Karrierë e pashembullt

Silvio Berluskoni, i cili me firmën e tij të investimeve dhe me koncernin mediatik është njëri nga burrat më të fuqishëm të Italisë, ka lënë pas vetes një karrierë të pashembullt. Në vitet 90-të, sipërmarrësi i suksesshëm u fut në politikë dhe me një lëvizje që bashkoi rryma të ndryshme politike fitoi zgjedhjet. Taktikani i shkathët nuk u shqetësua për kritikën e bashkëpunimit të tij me grupe postfashiste. Ai ndoqi instinktin e tij të pushtetit. Për një kohë të gjatë ai gëzoi mbështetjen e shumë italianëve të shtresës së mesme. Miqtë e tij nga kampi i sipërmarrësve e braktisën atë vetëm para pak kohësh, sepse ai nuk gjeti përgjigje të arsyeshme për krizën e borxheve. Komenti i Berluskonit në takimin e fundit të nivelit të lartë të G-20-ës, se italianët jetojnë mirë, sepse restorantet çdo mbrëmje janë plot, bëri që kupa të derdhet. Burri i moshuar kokëfortë duket se e ka humbur kontaktin me realitetin.

Por çfarë vjen pas Berluskonit? Zgjedhje të reja për momentin Italia nuk i përballon dot. Për këtë nuk ka kohë. Ndoshta ajo që mbetet është vetëm një zgjidhje "greke": të krijohet një qeveri tranzitore me një pak a shumë teknokrat në krye, neutral nga ana politike. Po të qetësohen tregjet financiare dhe ulen interesat për huatë shtetërore italiane, atëherë mund të pasojnë zgjedhje të reja vitin e ardhshëm ose në vitin 2013.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Esat Ahmeti