1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lavrov qëndron për vizitë në Serbi

Bahri Cani/Agenturen17 Qershor 2014

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov po qëndron për vizitë dyditore në Serbi. Në Beograd ai tha se Moska është kundër linjave ndarëse në Evropë.

https://p.dw.com/p/1CJpE
Lavrov dhe Dacic 16.06.2014 Beograd
Lavrov dhe Dacic 16.06.2014 BeogradFotografi: Andrej Isakovic/AFP/Getty Images

Pas takimit me homologun e tij Ivica Daçiq Lavrov deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se ndërtimi i gazpërçuesit "South stream" do të shkojë sipas planeve të mëparshme. Ndërprerja e tanishme e punimeve është vetëm e përkohshme. Ndërsa Daçiq theksoi edhe një herë se Serbia synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evorpian, por "kurrë nuk do t'i cënojë raportet me Rusinë". "Anëtarësimi ynë në BE nuk do të dobësojë, apo të ndërprejë në asnjë mënyrë lidhjet tona me Rusinë", theksoi ministri i Jashtëm i Serbisë.

Homologu i tij rus nënvizoi se Moska i respekton negociatat e Serbisë me BE. "Por është plotësisht e papranueshme që në Evropë të ketë ndarje. Është e domosdoshme që në Evropë të gjithë të jetojnë në një hapësirë të përbashkët kulturore, humanitare dhe ekonomike", tha Lavrov.

"Nuk është fjala për një politikë ose, ose"

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq pohon se kërkesat e Serbisë për anëtarësim në BE në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ky vend do t'ia kthejë shpinën Rusisë. "Këtë nuk e kemi kuptuar si një politikë, ose me BE-në, ose me Rusinë", tha ai duke shtuar se "Serbia dëshiron të ketë raporte të mira me të dyjat". Daçiq tha se Serbia nuk ka nevojë të pozicionohet, sepse edhe shumë vende të tjera evropiane kanë raporte shumë të ngushta me Rusinë.

Rusia mbështetë Serbinë në politikën ndaj Kosovës

Minsitri i Jashtëm Sergej Lavrov tha se Moska e mbështet qëndrimin e Serbisë për Kosovën dhe dialogun me Prishtinën, i cili po zhvillohet në Bruksel. Ndërsa Daçiq e falënderoi për këtë mbështetje. "Sikur të mos ishte mbështetja e Rusisë dhe disa vendeve të tjera, por në radhë të parë e Rusisë dhe Kinës si anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB, Serbia do të ishte sot në një pozitë të humbur sa i përket politikës ndaj Kosovës", pohon ministri Daçiq.

Ai shtoi se Rusia është partneri më i rëndësishëm ekonomik i Serbisë, menjëherë pas Gjermanisë dhe Italisë. Ndërkohë që, siç u shpreh, projektet e filluara do të vazhdojnë, sepse ato janë në interesin e vetë Serbisë.

Duke folur për krizën në Ukrainë, ministri i jashtëm rus tha, se "OSBE-ja duhet të ketë një rol më të fuqishëm në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Zvicërr. Ai ka kërkuar që të ushtrohet presion ndaj Ukrainës, për realizimin e plotë të marrëveshjeve. Ndërsa Daçiq premtoi se vendi i tij, si udhëheqës i ardhshëm i OSBE-së, do të angazhohet me të gjitha mundësitë që kriza në Ukrainë të zgjidhet me dialog, që do të jetë edhe një prej sfidave më të mëdha të Serbisë gjatë vitit të ardhshëm.

Lavrov tha se Rusia dhe Serbia duhet të mbajnë kontakte më të shpeshta në nivelin më të lartë. Ndaj ka ftuar Daçiqin dhe Aleksandar Vuçiqin për vizitë zyrtare në Moskë.