1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130411 Italien Waffen Flüchtlinge

15 Prill 2011

BE nuk pranoi të marrë një pjesë të refugjatëve të zbarkuar në Lampedusa. Duke reaguar ndaj këtij qendrimi, dy politikanë të partisë "Lega Nord", propozojnë përdorimin e armëve si mjet parandalues.

https://p.dw.com/p/10tdZ
Të zmbrapsen me armë - "Lega Nord" parashikon invazion milionësh në Itali...Fotografi: picture alliance/dpa

Zëvendësministri italian i Transportit Roberto Castelli, u shpreh kështu në radion publike italiane:

"Ky problem mund të marrë përmasa aq të mëdha sa duhet t'i bëjmë vetes pyetjen: a mos duhet të përdorim armët? Unë besoj se gjendja ku ndodhemi është si ajo e perandorisë romake."

Ka edhe konflikte të tjera, ku përdoren armët, vazhdon më tej Castelli:

"Ekziston rreziku, që të përballemi me një pushtim prej një milion apo dhjetëra milionë refugjatësh. Në këtë pikë duhet të ngremë pyetjen se çfarë mund të bëjmë. Unë rikujtoj se konfliktet ndërkombëtare si në Irak, Kosovë, Afganistan dhe Libi, janë zgjidhur me armë."

Edhe më prerë u shpreh eurodeputeti Francesco Speroni, i cili është edhe anëtar në komisionin për drejtësinë në Parlamentin Evropian. Në një intervistë në radio ai u pyet nëse kritikonte deklaratat e kolegut të tij Castelli. Në vend të kritikës, Speroni tha se çështja është nëse bëhet fjalë apo jo për një përdorim të përshtatshëm të armëve:

"Duhet parë nëse armët përdoren mirë apo keq. Ne ndodhemi këtu para një invazioni nga njerëz, të cilët vijnë në Itali pa asnjë leje dhe shkelin të gjitha rregullat. Në këtë pikë duhet të përdorim të gjitha mjetet, për t'i zmbrapsur ata. Në rast nevoje edhe armët, si mjet të fundit. Në të njëjtin kontekst BE-ja përdor armët në Libi. Unë nuk e kuptoj përse në një rast armët mund të përdoren e në një rast tjetër jo."

Wahlsieger Berlusconi berät mit sich mit Lega Nord Chef Umberto Bossi
Kryeministri italian Berlusconi dhe kryetari i "Lega Nord" Umberto Bossi.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Lega Nord" rregullisht tërheq vëmendjen me qëndrime ekstremiste të djathta. Kryetari i partisë Umberto Bossi shumë vite më parë ka propozuar të qëllohet me armë kundër anijeve me refugjatë. Edhe qëndrimi i ministrit të Brendshëm italian Roberto Maroni nga "Lega Nord", është armiqësor ndaj të huajve. Që dy vjet më parë ai deklaronte:

"Besoj se kundrejt migracionit të paligjshëm me të gjitha të këqijat që ai sjell me vete, duhet pasur qëndrim armiqësor dhe jo dashamirës. Duhet treguar vendosmëri dhe duhet të ngulim këmbë në zbatimin e anës së ashpër të ligjit."

Armiqësor ndaj të huajve - ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni.
Armiqësor ndaj të huajve - ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni.Fotografi: AP

Për kujtesë: Maroni është ministri, i cili në fillim të kësaj javë vuri madje në pikëpyetje anëtarësinë e Italisë në BE, pasi vendet e tjera anëtare nuk pranuan të merrnin një pjesë të refugjatëve të zbarkuar në Itali.

Të gjitha këto deklarata bëjnë të qartë se në ç'masë dominohet prej separatistëve nga veriu i Italisë politika qeveritare italiane. "Lega Nord" e di se kryeministri Silvio Berlusconi ka nevojë për votat e saj dhe anëtarët e saj e shfrytëzojnë këtë fakt.

Partitë opozitare në Itali reaguan me indinjatë ndaj deklaratave të fundit: kryetari i Partisë Demokratike në Senatin italian, tha se nga "Lega Nord" vijnë çdo ditë shprehje raciste. Dhe kryetari i grupit parlamentar të partisë "Italia dei Valori", Antonio di Pietro, u shpreh se "Lega Nord" qëllon vërtet por me baltë. Fjalët e politikanëve të saj dëshmojnë vetëm paaftësinë e tyre, u shpreh Di Pietro.

Autor: Stefan Troendle / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj