1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061011 NATO Minister-Treffen Abschluss

7 Tetor 2011

Gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel u fol para së gjithash për përfundimin e dy misioneve, atij në Libi dhe në Afganistan. Në rastin e parë NATO-ja mund të thotë: „mision i përmbushur“.

https://p.dw.com/p/12nLR
NATO-ja e sheh misionin në Libi gati si të përfunduar
NATO-ja e sheh misionin në Libi gati si të përfunduarFotografi: DW

Me sa duket në Libi është e afërt fitorja përfundimtare e trupave të Këshillit Kombëtar Kalimtar. Ushtarët e ish-kreut të shtetit Muhammar Gaddafi po bëjnë qëndresë më të madhe vetëm në qytetin Sirte. Se ku gjendet Gaddafi vetë, kjo është e paqartë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tingëlloi optimist. „Është e qartë se fundi duket. Ushtarët e Gaddafit luftojnë për një çështje të humbur. Jemi të vendosur t'i vazhdojmë operacionet tona përsa kohë ekzistojnë rreziqe.“

Fjala është për rreziqe për popullsinë civile libiane se misioni i NATO-s nuk konsiston në mundjen e ushtarëve të Gaddafit, po në mbrojtjen e civilëve prej shkeljeve. Dhe për sa kohë Këshilli Kombëtar Kalimtar nuk e ka pa dyshim gjendjen në kontroll, NATO-ja do ta vazhdojë misionin e saj. Për kohën e mëpasme Rasmussen nuk sheh më rol të rëndësishëm për NATO-n. Sidoqoftë, ai ofroi ndihmë në reformimin e forcave libiane të sigurisë, në rast se qeveria e re e ddëshiron këtë.

SHBA: Te mbrojtja mos kurseni tepër

Ministri amerikan i mbrojtjes Leon Panetta.
Ministri amerikan i mbrojtjes Leon Panetta.Fotografi: AP

Por, si Rasmussen ashtu edhe ministri i ri amerikan i mbrojtjes Leon Panetta besojnë se Libia ka zbuluar edhe dobësitë e NATO-s, para së gjithash ato të vendeve evropiane të NATO-s. Më miqësor në ton sesa paraardhësi i tij Robert Gates, por ngjashëm i ashpër në përmbajtje Paneta kërkoi këtu përpjekje më të mëdha. „Përvoja (e Libisë) duhet të na mësojë të ndërtojmë mbi bazën e këtyre sukseseve dhe të eliminojmë disa prej mangësive që u bënë të dukshme. Prandaj, tema kryesore e këtij takimi ishte garantimi i aftësive ushtarake të NATO-s për të vepruar me sukses në shekullin e 21-të, edhe në një kohë kufizimesh buxhetore.“

Ngjitu në pemë, zbrit nga pema

Dhjetë vjet pas fillimit të misionit në Afganistan edhe atje dallohet fundi. Por, trupat afgane do ta garantojnë kryesisht vetë sigurinë e vendit të tyre duke nisur nga 2014-a. Në gjysmën e dytë të tetorit qeveria afgane do të bëjë të njohura rajone të tjera që bien nën përgjegjësinë afgane për sigurinë. Vetëm amerikanët, të cilët përbëjnë me 100.000 ushtarë pjesën më të madhe të trupave luftarake, do të tërheqin deri në vjeshtë të vitit që vjen rreth një të tretën e tyre. Ministri gjerman i mbrojtjes Thomas de Maizière paralajmëron nga nxitimi i tepruar.

Ministri gjerman i mbrojtjes Thomas de Maiziere.
Ministri gjerman i mbrojtjes Thomas de Maiziere.Fotografi: picture-alliance/dpa

„Synimi është i qartë: Ne duam ta organizojmë dorëzimin e përgjegjësisë deri në fund të 2014-ës. Kjo përfshin një tërheqje të trupave me rritje të njëkohshme të forcave afgane të sigurisë. Në këtë kuadër ne na duhet durim strategjik. Të zbresësh nga pema është më e ndërlikuar sesa të hipësh shpejt në pemë.“ Mirëpo, sipas fjalëve të de Maizière-it tërheqja e pjesshme amerikane nuk ka pasoja negative për gjendjen e Bundeswehr-it në veri të Afganistanit. „Aftësi kyç“ amerikane si shërbimet e mjekësisë ushtarake dhe kapacitetet e helikopterëve mbeten, tha ai.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: A Verbica