1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230311 Ausländer Berufsabschluss

25 Mars 2011

Në luftë kundër mungesës së personelit të kualifikuar Gjermania do të shfrytëzojë aftësitë e emigrantëve duke u mundësuar atyre përmes një ligji të ri ushtrimin e profesionit.

https://p.dw.com/p/10h5S
Në Gjermani ka shumë inxhinerë të huaj që punojnë si shoferë taksieFotografi: DW

Në muajin shkurt 2011 në Gjermani kishte më tepër se 80.000 vende të lira pune për inxhinierë. Nëpër spitale dhe klinika gjendja është edhe më e keqe. Ndërkohë që në Gjermani ka shumë inxhinerë nga Lindja e Mesme që punojnë si shoferë taksie, apo gra të diplomuara në fusha të ndryshme nga vendet e Evropës Lindore që punojnë si pastruese.

Gjermania lëshon pe: Gati ligji i ri për njohjen e diplomave të huaja

Qeveria gjermane synon t'u mundësojë atyre të drejtën për t'u punësuar në profesionin që kanë mësuar përmes një ligji të ri për përmirësimin e mundësive për njohjen e diplomave të huaja.

Bundesbildungsministerin Annette Schavan Pressekonferenz
Annette SchavanFotografi: picture alliance/dpa

Sipas ministres së Arsimit, Annette Schavan, ky është një sinjal i rëndësishëm për integrimin e tyre në Gjermani dhe pjesë e kulturës së mirëseardhjes: "Nuk ka kuptim që në Gjermani kemi qytetarë që nuk mund të punojnë në profesionet që kanë mësuar. Unë mendoj se është çështje respekti që atyre t'u jepet kjo mundësi. Nga këndvështrimi i të prekurve kjo nuk qe kulturë mirëseardhjeje dhe nga këndvështrimi ynë, pra i mungesës në vend të punonjësve të specializuar një praktikë jo objektive dhe e mirë."

Tre muaj afat për vendimin në njohjen ose jo të diplomave të huaja

Shkollimi profesional i të huajve do të shqyrtohet brenda tre muajve
Shkollimi profesional i të huajve do të shqyrtohet brenda tre muajveFotografi: AP

Me ligjin e ri, i cili pritet të kalojë në Këshillin e Federatës të huajt që jetojnë në Gjermani kanë të drejtë t'i dërgojnë për njohje diplomat apo dëshmitë profesionale që mund të kenë marrë në vendet e tyre. Brenda tre muajsh autoritetet përkatëse vendosin nëse shkollimi profesional i përgjigjet atij gjerman. Në rast se jo personat e interesuar kanë të drejtë të marrin pjesë në kurse kualifikimi plotësues dhe t'i nënshtrohen në fund provimit në Gjermani. Gjithësesi personat e interesuar duhet t'i financojnë vetë kurset e kualifikimit plotësues.

Gjithësesi ministrja Schavan theksoi se ka edhe shumë rrugë për financimin e këtyre kurseve si p.sh. bursa të Dhomave të Industrisë dhe të Tregtisë, të qyteteve, landeve dhe të federatës.

Ligji ka të bëjë fillimisht me rreth 350 profesione për të cilat përgjegjëse është federata. Për njohjen e diplomave në fushën e mësuesisë dhe të inxhinierisë, që në Gjermani janë kompetencë e landeve federale, pritet të ketë një ligj të ngjashëm. Sipas qeverisë federale prej këtij ligji pritet të përfitojnë rreth 300.000 emigrantë, rreth 250.000 syresh kanë dëshmi për kualifikime të ndryshme profesionale, 23.000 kanë titullin e mjeshtrit apo të teknikut dhe 16.000 diploma universiteti.

Autor: Sabine Kinkartz/Pandeli Pani

Redaktoi: Lindita Arapi